Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti sot në mesditë Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të një vizite pune. Në këtë takim, Komisioneri Fyle shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, si dhe nga Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui.
Presidenti Topi shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen dhe angazhimin intensiv të institucioneve evropiane si dhe të Komisionerit Fyle në mbështetje të procesit të gjatë të Shqipërisë për realizimin e aspiratave të saj integruese: anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kreu i Shtetit shqiptar shprehu besimin se “kjo vizitë do të përcjellë energji pozitive në drejtim të ritmit të reformave dhe pritshmërisë lidhur me statusin e vendit kandidat”. “Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, - vijoi më tej Presidenti Topi në takim, - mbetet përparësia më e rëndësishme e vendit dhe popullit tonë, pasi ai kërkon përmbushjen e kuadrit të nevojshëm të reformave për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm politik dhe ekonomik të Shqipërisë”.
Duke u ndalur tek reformat e ndërmarra në vend, Kryetari i Shtetit vlerësoi pozitivisht zhvillimet e deritanishme dhe rikonfirmoi angazhimin maksimal të palës shqiptare për përmbushjen e e 12 prioriteteve të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian duke i konsideruar ato kyçe për të avancuar në drejtim të marrjes së statusit të vendit kandidat. Në këtë drejtim Presidenti Topi përshëndeti dhe theksoi rëndësinë e zgjedhjes me konsensus të Avokatit të Popullit, të kalimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar si ç’është miratimi i sotëm i Gjykatës Administrative, të realizimit sa më shpejt të reformave zgjedhore e parlamentare sipas modelit të procedurave të Parlamentit Evropian dhe heqjes së imunitetit.
Gjatë takimit, Presidenti Topi dhe Komisioneri Fyle ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e një klime të qëndrueshme politike e të vazhdimësisë së dialogut politik mes palëve dhe vullnetit të përbashkët mazhorancë-opozitë për të ecur përpara me reformat e jetike për plotësimin e kritereve të vendosur nga Komisioni, si një proces i vazhdueshëm dhe dinamik në të mirë të interesave të të gjithë shqiptarëve, me synim arritjen e statusit kandidat në vjeshtën e këtij viti. Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit shprehu besimin se “këtë vit, që përkon edhe me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria do të mund të përmbushë kriteret e kërkuara për të marrë me meritën e duhur statusin e vendit kandidat.”
Gjithashtu, në bashkëbisedimin e tyre, Presidenti Topi dhe Komisioneri Fyle u ndalën edhe në procesin e rëndësishëm të zgjedhjes së Presidentit, proces i cili duhet të jetë sa më transparent dhe konsensual, pasi shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një figurë presidenciale me integritet të lartë profesional e moral e njerëzor, që të gëzojë simpati të gjerë në popull, të jetë mbi partitë politike dhe të shërbejë vërtet si simbol i bashkimit kombëtar.
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle, nga ana e tij, falënderoi në mënyrë të veçantë Kreun e Shtetit për pritjen dhe takimin e rëndësishëm, duke vlerësuar lart edhe njëherë angazhimin në vijimësi të Presidentit të Republikës, sidomos për rolin e tij kushtetues e moderator në të gjitha zhvillimet politike në vend.
Komisioneri Fyle theksoi se Bashkimi Evropian është duke bërë vlerësimet e veta mbi plotësimin e standardave integruese të Shqipërisë, për të përcjellë tek vendet anëtare të BE-së një mesazh pozitiv për progresin e vendit në adresimin e 12 prioriteteve, sidomos në drejtim të zbatimit të shtetit të së drejtës, të ruajtjes së lirive thelbësore të njeriut, të forcimit të demokracisë, zhvillimit me sukses të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj. Komisioneri Fyle vuri në dukje gjithashtu se në këtë moment e vit të rëndësishëm për Shqipërinë e shqiptarët, forcat dhe aktorët politikë shqiptarë duhet të sigurojnë një dialog sa më konstruktiv mes tyre, zhvillojnë më tej bashkëpunimin politik dhe domosdoshmërinë e instalimit të një kulture e mentaliteti bashkëkohor politik, duke punuar intensivisht për të ardhmen integruese evropiane të Shqipërisë.