Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot një vizitë në Firence të Italisë, ku është pritur sot në një takim të posaçëm nga Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti Matteo Renzi. Gjatë takimit me kryebashkiakun e Firences, Matteo Renzi, njëherazi një ndër ideologët kryesorë dhe yjet në ngjitje të së majtës italiane, Edi Rama ka folur në detaje për programin e të majtës shqiptare “Për Një Rilindje Shqiptare”, si dhe format e ndryshme të bashkëpunimit në funksion të modernizimit të qeverisjes dhe ekonomisë. Zoti Renzi ka ndarë me Edi Ramën edhe vizionin e tij për ofertën e re të së majtës italiane, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Partinë Socialiste. Kryebashkiaku i Firences e priti Edi Ramën i shoqëruar nga Këshilltarja për Universitetin Cristina Giachi dhe Presidenti i Këshillit Komunal Eugenio Giani i cili ka bashkëpunuar me Ramën kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytet i binjakëzuar me Firencen që prej 2001. Në qendër të takimit është vendosur edhe situata politike në Shqipëri dhe Itali, por edhe kriza ekonomike ndërkombëtare. U pa po ashtu mundësia e një bashkëpunimi mes Firences dhe Shqipërisë sa i takon zgjedhjeve politike në vendin ballkanik që do të mbahen në pranverën e 2013.