Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, pas pjesëmarrjes në Forumin e Varshavës “Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore”, si dhe pas takimit që kreu me Kryeministrin kinez Wen Jiabao në ditët e këtij Forumi, zhvilloi dje një takim me Ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, z. Ye Hao.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit rivlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke i dhënë një theks të veçantë të gjitha çështjeve të axhendës së bashkëpunimit dyplalësh, ku prioritet zë bashkëpunimi në fushën e energjetikës, zonave të lira, porteve, arsimit dhe kulturës.
Ambasadori i paraqiti Ministrit Haxhinasto paketën e propozimeve të palës kineze për bashkëpunim me vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, në të cilat nënvizohet krijimi i një fondi prej 10 miliardë dollarë, për të kredituar projekte në këtë rajon në fusha të tilla si: ndërtimi, infrastruktura, teknologjia e lartë etj.
Po ashtu, është parashikuar një iniciativë për të krijuar Fondin për Bashkëpunim dhe Investime midis Kinës dhe vendeve të këtij rajoni, ku në fazën fillestare parashikohet të mblidhet një fond prej 500 milion $.
Ai gjithashtu paraqiti projektet kineze në rajon, për të forcuar bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe kulturës, nga të cilët do të përfitojnë rreth 1000 studentë nga këto vende.
Në fund të fjalës së tij, Ambasadori theksoi se ekziston mundësia që Shqipëria të përfiojë në masë të konsiderueshme nga këto projekte.