Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë priti sot Kryetarin e Unionit Ndërkombëtar të Noterëve, zotin Zhan Pol Dëkorp, dhe përfaqësues të tjerë të këtij organizmi nga Italia, Franca dhe Spanja, të cilët shoqëroheshin nga Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, zonja Mimoza Sadushaj.
Pasi e falënderuan Presidentin Topi për pritjen e rezervuar, përfaqësuesit e dy organizmave të rëndësishëm të noterisë, bënë një prezantim të shkurtër të punës, arritjeve të deritanishme, të bashkëpunimit të frytshmë mes unioneve noteriale të vendeve të ndryshme të Evropës e botës, si dhe të synimeve për të ardhmen e veprimtarisë së tyre.
Kryetari i Unionit Ndërkombëtar të Noterëve, zoti Zhan Pol Dëkorp, vuri në dukje veçanërisht “rëndësinë e ofrimit të sigurisë juridike në ushtrimin e aktivitetit noterial dhe të garantimit të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimit ndaj komunitetit, në harmonizimin e interesave të tij dhe gjithnjë në zbatim të ligjit”.
Ndërsa Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, zonja Mimoza Sadushaj, foli për nismën më të re të organizimit për herë të parë në vendin tonë të Kongresit të Noterisë Shqiptare, i cili do të ketë në qendër të trajtimit të tij “Besimin dhe sigurinë te noterët, si garanci juridike per zhvillimin social-ekonomik dhe integrimin evropian të vendit”. Duke prezantuar në vija të përgjithshme punën e noterëve, rolin e tyre sot në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe në shërbim të qytetarëve, u vuri në dukje se “pjesëmarrja e noterëve shqiptarë në organizma kombëtare, evropiane e ndërkombëtare është e domosdoshme, me qëllim ngritjen e vazhdueshme profesionale, përafrimin e tij me kulturën evropiane të vlerësimit profesional dhe nevojën për t’u shërbyer shtetasve shqiptarë kudo që ata ndodhen, qoftë edhe nëpërmjet shërbimeve cilësore konsullore”.
Presidenti Topi, nga ana e tij, vlerësoi iniciativën më të re të Unionit Ndërkombëtar të Noterëve dhe të Dhomës Kombëtare të Noterëve, duke theksuar mbështetjen dhe angazhimin serioz e kushtetues të Institucionit të Presidentit të Republikës në të gjitha nismat e rëndësishme ligjore të organizmave noterialë, të cilët në thelb të aktivitetit të tyre kanë zbatimin rigoroz të legjislacionit në fuqi dhe shmangien e fenomeneve korruptive e joligjore, sidomos përsa problemit shumëvjeçar dhe ende të pazgjidhur të pronave. Në këtë drejtim Presidenti Topi vlerësoi si “jetik rolin e institucionit të noterëve në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe çuarjen përpara të reformës në drejtësi si dhe të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të vendeve evropiane, në mënyrë që plotësohen edhe kushtet për hyrjen sa më të shpejtë të Shqipërisë në gjirin e familjes evropiane”.