Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u pritën sot paradite në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, në një nga mjediset kryesore të Kishës Katolike të Vatikanit, në Romë, në prani të personaliteteve të larta të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Rrok Logu.
Pasi falënderoi Papën Benedikti XVI për nderimin e veçantë, dhe njëkohësisht pasi nënvizoi kënaqësinë e vlerësimin e madh për këtë takim të rëndësishëm, Presidenti Topi shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve shqiptare, sidomos në drejtim të ruajtjes e forcimit të bashkëjetesës e harmonisë fetare në Shqipëri.
Duke risjellë në vëmendje e me krenari faktin që “tashmë janë shënuar më se 20 vjet të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Vatikan, në rang Nunziature Apostolike”, Kryetari i Shtetit vuri në dukje “rolin e madh të Kishës Katolike në zhvillimet shpirtërore, kulturore e arsimore në shoqërinë shqiptare”, duke shprehur besimin se “Vatikani do të jetë gjithmonë në krah të përpjekjeve e aspiratave të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e rëndësishme dhe e dobishme e familjes së madhe evropiane”.
Gjithashtu, Presidenti Topi vuri në pah “vlerat e papërsëritshme të historisë së bashkëjetesës mes besimeve fetare në Shqipëri, si një pasuri e madhe kombëtare, që është ruajtur dhe trashëguar në breza nga komunitetet fetare në vendin tonë”, duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e përfaqësuesve e drejtuesve të tyre “në realizimin e qëllimeve fisnike në shërbim të besimit, harmonisë, paqes dhe demokracisë në Shqipëri”.
Duke folur mbi zhvillimet më të fundit në vendin tonë e rajon, Presidenti Topi u shpreh se “Shqipëria sot është një vend demokratik dhe anëtar i NATO-s, respektues i të gjitha besimeve fetare dhe e vendosur në mbështetjen e perspektivave integruese evropiane edhe të vendeve të tjera të Ballkanit”, duke shprehur në këtë kuadër besimin në mbështetjen e plotë të Shtetit të Vatikanit, dhe të vetë Papës Benedikti XVI.
Nga ana e tij, Papa Benedikti XVI, pasi çmoi lart praninë e Kreut të Shtetit shqiptar dhe Zonjës së Parë, Teuta Topi në këtë audiencë të veçantë, theksoi se Selia e Shenjtë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë në të gjitha përpjekjet e saj për zhvillimin të mëtejshëm të vendit në të gjitha fushat, por dhe në realizimin e aspiratës integruese për në Bashkimin Evropian, edhe në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së saj”. Ati i Shenjtë vlerësoi lart gjithashtu edhe bashkëjetesën e harmoninë ndërfetare që ka karakterizuar popullin shqiptar gjatë gjithë historisë së tij shekullore, duke e konsideruar si “një shembull unik të evidentimit të vlerave më të mira paqedashëse njerëzore”.
Në kuadër të vitit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti i Republikës e ftoi Atin e Shenjtë, Papa Benediktit XVI që të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me shumë kënaqësi dhe vizita do të realizohet në një kohë të përshtatshme.