Në ditën e 5 Majit, Kryetarja e Kuvendit, kreu sot homazhe te Varrezat e Dëshmorëve. Së bashku me Kryeministrin Sali Berisha, ministra, deputetë, Kryetarja e Kuvendit bëri nderimet e rastit dhe vendosi një kurorë me lule tek monumenti Nënë Shqipëri. Më pas zonja Jozefina Topalli u takua me familjarë të dëshmorëve, të afërm të tyre dhe veteranë, që ishin të pranishëm në ceremoni.
Në vijim të ceremonialit për ditën e 5 Majit, Kryetarja e Kuvendit së bashku me Kryeministrin Berisha zhvilluan një vizitë tek shtëpia e Heroit të Demokracisë Azem hajdari. Kryeministri Berisha theksoi se, aspiratat dhe ëndrat e Azem Hajdarit dhe mijëra shqiptarëve të tjerë, që sakrifikuan jetën për liri dhe demokraci, janë të realizuara; Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe qytetarët e saj qarkullojnë të lirë, pa viza në Evropë.
Kryetarja e Kuvendit ishte sot dhe në familjen e Dëshmorit të Atdheut, Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës, në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë në Kandahar, Afganistan. Kryetarja e Kuvendit i tha familjarëve, miqve dhe kolegëve, se të gjithë shqiptarët ndihen krenarë për figurën dhe misionin fisnik të kapiten Feti Voglit.
“Sot ne përulemi me nderim për kurajon dhe vendosmërinë e Feti Voglit. Ai është simbol i guximit dhe i idealizmit për të gjithë shqiptarët”. – u shpreh Kryearja e Kuvendit Jozefina Topalli.