Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi, duke u njohur me arrestimet e fundit të shqiptarëve nga policia serbe në Luginën e Preshevës dhe rritjen e tensionit etnik atje në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, ka dënuar me vendosmëri këto skenare ogurzinj të forcave ultranacionaliste serbe për të krijuar terror dhe frikë ndaj popullsisë shqiptare. Këto veprime të paramenduara që shkelin standardet demokratike dhe personalitetin e palëkundur të popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, synojnë të destabilizojnë paqen dhe sigurinë e popujve të rajonit tonë.
Presidenti i Republikës thekson se, tashmë në Evropën demokratike asnjë skenar i forcave ultranacionaliste dhe shoviniste serbe dhe i kujtdo qoftë nuk mund të trembë shqiptarët, t’i terrorizojë ata dhe t'i largojë nga të drejtat e tyre legjitime për të jetuar të barabartë e në paqe në trojet e tyre amtare.