Bamir Topi uroi sot paradite Presidentin e zgjedhur të Republikës Franceze, Fronsua Zherar Zhorzh Olond.
I nderuar Zoti President,
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh përshëndetjet më të ngrohta e miqësore me rastin e fitores dhe zgjedhjes Suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Franceze!
Me këtë rast, dëshiroj të shpreh besimin tim se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona do të forcohen dhe më shumë gjatë mandatit tuaj presidencial. Kjo miqësi, si edhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Francës do të vazhdojnë të konsolidohen më tej, në interes të begatisë e lumturisë së dy popujve tanë miq.
Më lejoni gjithashtu, Shkëlqesi, të shpreh dhe vlerësimin tim të thellë për mbështetjen që Franca i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Shqipërisë në përpjekjet e saj drejt integrimit sa më të shpejtë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Duke u nisur nga ky qëllim, Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të vazhduar në rrugën e zhvillimit dhe përparimit demokratik e social në të gjitha fushat. Po kështu ne vlerësojmë lart rolin konstruktiv të Francës në proceset e paqes, demokratizimit dhe integrimit euroatlantik të rajonit të Ballkanit Perëndimor!
Duke shprehur urimet e mia më të sinqerta për sa më shumë suksese në misionin tuaj fisnik, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – theksohet në mesazhin e Kryetarit të Shtetit shqiptar.