English

Berisha përshëndeti Forumin ekonomik gjatë vizitës së tij në Itali

Gjatë vizitës në Romë, Kryeministri Berisha mori pjesë në Forumin ekonomik “Shqipëria në Evropë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që u zhvillua në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e 100 sipërmarrësve italianë dhe shqiptarë.

Kryeministri Berisha iu drejtua Forumit me një fjalë, në të cilën bëri një ekspoze të përgjithshme të zhvillimeve dhe reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, klimës së favorshme për biznes e investime, të potencialeve të Shqipërisë etj.

Forumi u përshëndet edhe nga Ministri italian i Punëve të Jashtme Giulio Terzi di Sant’Agata, i cili falënderoi kryeministrin Berisha për prezencën e një numri të konsiderueshëm sipërmarjesh shqiptare në Forum. Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve në shumë fusha me interes të përbashkët, Ministri i Jashtëm italian theksoi se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që ofron partneriteti strategjik. Duke shprehur vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, zoti Giulio Terzi di Sant’Agata theksoi se kompanitë italiane duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ofron ky treg dinamik.

Gjatë këtij takimi e mori fjalën edhe Presidenti i Fondacionit Farefuturo, zoti Adolfo Urso, i cili shprehu kënaqësinë për prezencën e kryeministrit Berisha në këtë Forum që do të shërbejë si një mundësi e re, për vendosjen e lidhjeve të bashkëpunimit mes sipërmarrësve italianë dhe atyre shqiptarë, në fusha me interes për vendin.

Zoti Urso u shpreh se tashmë Shqipëria nuk është më vetëm një vend për të investuar apo promovuar produktet italiane, por mbi të gjitha është një vend partner i Italisë. Ai theksoi se në sajë të përpjekjeve të mëdha të qeverisë shqiptare dhe reformave të zbatuara prej saj, Shqipëria është sot vend anëtar i NATO-s, si dhe një vend i cili po ecën përpara në procesin e integrimit evropian. Zoti Urso e cilësoi Shqiperine si një model rritjeje dhe zhvillimi në zonën e Ballkanit, si dhe vlerësoi reformat politike, ekonomike, privatizimet e rëndësishme, si dhe klimën shumë të mirë ndaj biznesit të huaj, si faktorin kryesor të rritjes ekonomike në Shqipëri dhe mosprekjes nga kriza, ashtu sic ka ndodhur ne vendet fqinje të saj.

Në përfundimit të takimit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Postës shqiptare dhe Postës italiane.

KOMENTE