English

Edi Rama flet pas takimit me Ilir Metën (VIDEO)

Takimi i sotëm ishte në kuadrin e nismës të Partisë Socialiste, për të komunikuar me të gjithë drejtuesit e palëve parlamentare dhe për të eksploruar mundësitë e një procesi të dakordësuar në funksion të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, që të jetë mishërim i unitetit kombëtar, siç e parasheh Kushtetuta jonë, dhe jo një noter partiak.

Dhe, kujt çuditet apo edhe kujt mllefoset nga takimi im i sotëm me Ilir Metën, nesër me Shpëtim Idrizin, më tutje me Sali Berishën, i them se kur flasim për dialog do të thotë edhe dialog mes kundërshtarëve. Nuk do të thotë ne monologun tonë dhe qeveria monologun e vet. Shqipërisë i duhet sot një President i cili të garantojë në radhë të parë kapërcimin e kësaj prove jashtëzakonisht të rëndësishme për të marrë statusin e kandidatit. I duhet një President i cili të garantojë pavarësinë e institucioneve që varen prej tij dhe aktivitetin kushtetues të tyre. I duhet një President i cili të jetë edhe një garant për të gjithë shqiptarët në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. A është e mundur të arrihet kjo? Interesi i vendit e kërkon, Shqipëria dhe populli shqiptar e kërkon, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e kërkoi. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë duke vënë në dispozicion të gjitha energjitë tona, pikërisht, në emër të kësaj kërkese që është e gjithëanshme. Por, e përsëris, ne s’mund të predikojmë proces, nuk mund të predikojmë dakordësi, nuk mund të predikojmë një konsensus të nevojshëm dhe të domosdoshëm sot për vendin duke qëndruar në llogoren tonë dhe duke bërë sehir llogoren e qeverisë. Kështu që, është koha për të komunikuar me të gjithë. Është koha për të dhënë gjithçka ne mund të japim në mënyrë që nga ky proces të dalë rezultati i pritshëm në funksion, e përsëris, të interesit kombëtar, në funksion të interesit qytetar dhe padyshim në funksion të një procesi integrimi ku miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë të pazëvendësueshëm.
964

KOMENTE