Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto zhvilloi një vizitë zyrtare një ditore në Suedi, gjatë të cilës pati takime me Kryetarin e Parlamentit, z. Per Esterberg, Ministrin e Jashtëm, z. Carl Bildt, Ministren e Tregtisë, znj. Ewa Bjorling, sekretarin për çështje të BE-së, z. Oscar Waglund etj. Në takime u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin e Shqipërisë në BE, zhvillimet në rajonin e Ballkanit, bashkëpunimi në kuadër të organizatave ndërkombëtare, etj.
Në takim me Ministrin suedez të Punëve të Jashtme, z. Carl Bildt u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i deritanishëm midis dy vendeve, si dhe u thekua se ka shumë mundësi dhe rrugë për t’i forcuar ato më tej, në interes të dy vendeve. Si fusha të këtij bashkëpunimi u identifikuan energjia, burimet natyrore dhe minierat, infrastruktura, turizmi dhe shkëmbimet tregtare.
Duke falënderuar për mbështetjen që Suedia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, liberalizimit të vizave, si dhe në kuadër të programeve dypalëshe të zhvillimit, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z Haxhinasto kërkoi që Suedia të vazhdojë të mbështesë vendin tonë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Ministri i Jashtëm suedez, z Bildt u shpreh se Suedia, si mbështetëse e përhershme e zgjerimit, dëshiron që të shohë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, pa përjashtim, si vende anëtare të BE-së. Në këtë kuadër ajo mbështet edhe integrimin e Shqipërisë në BE. Bashkëbisduesit ndanë të njëjtin mendim se avancimi i axhendës së integrimit në BE përbën një instrument të rëndësishëm për të forcuar më tej reformat dhe proceset e konsolidimit të demokracisë në vendet aspirante.
Ministri Bildt vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon si një faktor moderues dhe që mbështet proceset integruese rajonale. Ai nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe midis vendeve të rajonit, si dhe i proceseve integruese në rajon, përbën një hap të rëndësishëm në ecurinë progresive në anëtarësimin në BE. Shqipëria, tha ai, mbështet projektet e përbashkëta dhe ato ndërkufitare, duke përmendur si rast pozitiv bashkëpunimin me Malin e Zi. Po ashtu, në takim u vlerësua se tashmë është koha që të ketë një hap të ri cilësor në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe Shqipëri-Serbi dhe është koha që marrëveshjet të bëhen realitet. Z. Haxhinasto theksoi se problemet në veri të Kosovës zgjidhen duke mos pasur si referencë modelet e të kaluarës, por ato të së ardhmes, që është BE. Ai theksoi se ‘Plani Ahtisari’ për Veriun është pikërisht në respekt të perspektivës Evropiane të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatesia etnike.
Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Haxhinasto dhe z. Bildt nënvizuan se bashkëpunimi ekonomik duhet të forcohet më tej, sepse mundësitë dhe interesi i ndërsjellë ekziston. Për këtë, tha z. Haxhinasto duhet që komunitetet e biznesit të jenë më afer, gjë të cilës do t’i ndihmojë organizimi i forumeve të përbashkëta të biznesit.
Në kuadër të bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto nënvizoi Presidencën shqiptare të Këshillit të Evropës, për të cilën siguroi edhe mbështetjen e plotë të Suedisë për të patur një presidencë të suksesshme në shërbim të organizatës dhe vendeve anëtare.
Gjate vizitës zyrtare ne Stokholm, Ministri Haxhinasto pati edhe një takim me Kryetarin e Parlamentit Suedez, z. Per Westerberg, ku u diskutua për bashkëpunimin midis dy parlamenteve, si dhe integrimin e vendeve të rajonit tonë në BE.
Kryetari i Parlamentit Westerberg siguroi z. Haxhinasto për mbështetjen e plotë të Suedisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Z. Haxhinasto i bëri me dije mikut suedez zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri, duke theksuar vendosmërinë për të përmbushur kërkesat, që vendi ynë të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Z. Westerberg theksoi se për parlamentarët suedezë është e rëndësishme që gjykatat të jenë të pavarura dhe të vazhdojë të luftohet korrupsioni.
Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Haxhinasto vlerësoi ndihmën dhe asistencën që Suedia i ka dhënë Shqipërisë, duke nënvizuar se kjo ndihmë ka ndihmuar për arritjen e progresit dhe rezultateve në reformat e ndërrmarra nga Qeveria shqiptare. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e diplomacisë parlamentare, si një element i rëndësishëm që ndihmon marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
Takimi me Ministren e Tregtisë, znj. Ewa Bjorling u përqendrua në rritjen e investimeve suedeze në Shqipëri, si dhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve. Pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera politike midis dy vendeve, shkëmbimet tregtare, nënvizuan bashkëbiseduesit, janë në nivele të ulëta. Për këtë duhet që të inkurajohet rritja e volumeve të shkëmbimeve tregtare, si dhe të nxiten investimet suedeze. Këto investime rajonale ndihmohen edhe nga politikat lehtësuese të lëvizjes së lirë të mallrave, kapitaleve dhe njerëzve në rajon. Shqipëria, tha ai, është një nga promovueset më të forta të këtij bashkëpunimi.
Duke vlerësuar këtë situatë, znj. Bjorling tha se synohet që në 5 vitet e ardhshme do të dyfishohen eksportet, ndërsa është e nevojshme që të mbahet parasysh një perspektivë më e thellë në drejtim të infrastrukturës. Ndër fushat e identifikuara për bashkëpunim në të ardhmen ishin: energjia e pastër, burimet natyrore, turizmi, shërbimet, industria e agrobiznesit, pylltaria dhe arroret.
Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Haxhinasto vazhdon vizitën zyrtare në Danimarkë.