Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi uron Ditën e Evropës nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot në mesditë drejtuar Presidentit të Këshillit të Evropës, zotit Herman Van Rompuji.
“Shkëlqesia Juaj,
Dita e Evropës më jep kënaqësinë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve si dhe të gjithë përfaqësuesve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, urimet më të përzemërta!
Me këtë rast, shpreh vlerësimin tim më të lartë për institucionet e Komuniteteve Evropiane, për mbështetjen e vazhdueshme që ato i kanë dhënë dhe po i japin Shqipërisë gjatë përpjekjeve të saj për integrim në BE. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian janë shumë të mira dhe tashmë presim që hapa të mëtejshme të merren, duke përparuar sa më shpejt drejt statusit kandidat për anëtarësim. Shteti shqiptar është i angazhuar plotësisht për arritjen e këtij objektivi madhor dhe shumë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit tim.
Dëshiroj gjithashtu të shpreh dhe bindjen se me gjithë vështirësitë ekonomike dhe sociale që po kalojnë mjaft vende të BE-së, kjo organizatë do ta gjejë forcën dhe mënyrat që të dalë me sukses nga kjo gjendje dhe të jetë një shembull botëror uniteti, integrimi, paqeje dhe begatie. Besoj se Shqipëria dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me dëshirën dhe vullnetin për të ecur në rrugën e tyre drejt integrimit të plotë evropian, do të japin një kontribut të rëndësishëm në këtë proces, duke ofruar potencialin e tyre për të ardhmen tonë të përbashkët!” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar.