English

At Zef Valentini (pas vdekjes) dekorohet nga Presidenti Topi

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi dje paradite një prej figurave më të shquara në fushën e albanologjisë, personalitetin fetar me një kontribut të rëndësishëm si përkthyes, historian e filozof, At Zef Valentinin (Pas vdekjes), me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në një ceremoni zyrtare ku merrnin pjesë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Ambasadori i Selisë së Shenjtë Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të bashkësisë katolike, albanologë, historianë e studiues.

Pas ceremonisë zyrtare të rastit, ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, zoti Aleksandër Flloko, e mori fjalën Presidenti Topi, i cili, pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në këtë eveniment të veçantë të vlerësimit dhe dekorimit të një prej personaliteteve më të rëndësishme, që dha një ndihmesë të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, At Zef Valentinit, u shpreh:

“Jemi mbledhur sot në një ceremoni të veçantë për të nderuar një personalitet si At Zef Valentini. Vetë prania e personaliteteve të shquara të botës akademike dhe jetës publike, si dhe nisma e një grupi të respektuar intelektualësh për të nderuar këtë figurë të përmasave të mëdha, - janë një dëshmi e gjallë e respektit dhe nderimit të thellë elitar për gjithçka ai përfaqëson, sikurse e ka demonstruar gjatë gjithë jetës së tij, por sikurse e kanë demonstruar dhe mjaft referenca intelektuale pas vdekjes së tij. Ai jetoi në një kohë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, përjetoi nga afër të gjitha ngjarjet historike që shoqëruan hedhjen e themeleve të shtetit shqiptar, eksperimentimet me sistemet qeverisëse, përfshirë pushtimet e huaja dhe vendosjen e sistemit komunist.

Me një formim profesional elitar, At Valentini pati një angazhim direkt më se 20-vjeçar në jetën publike shqiptare dhe gati 30-vjeçar nga Italia, duke qenë njëherësh një mësues shembullor, studiues i aftë dhe krijues me kontribute të mëdha në dokumentimin e historisë dhe traditës zakonore ende të panjohur sa duhet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ishte njëherësh krijues dhe përkthyes, historian dhe filozof, një personalitet fetar dhe publik, albanolog dhe figurë e përmasave të larta akademike. Valentini është themelues e drejtues i “Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare” në Universitetin e Palermos, dhe për vite të tëra një nga emrat më të spikatur të mbrojtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në botë.

Figura e tij nuk u zbeh nga përpjekja e sistemit totalitar për të shuar dhe denigruar atë dhe personalitete të tjera të shquara me veprimtari atdhetare dhe shkencore. Veprat e tij u lanë në hije, ashtu siç regjimi veproi me Fishtën, Koliqin dhe mendimtarë të tjerë të kalibrit të lartë të së njëjtës periudhë. Falë punës kurajoze dhe angazhimit qytetar të botuesit Kulla dhe emrave më të njohur të jetës së sotme publike kulturore, tashmë publiku ka në dispozicion një pjesë të madhe të krijimtarisë së Valentinit, dhe kështu, një shans të artë për të mësuar nga kritika dhe dëshmitë, analiza dhe vizioni i tij për etapa e ngjarje më rëndësi të veçantë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në trashëgiminë e tij akademike Zef Valentini ka lënë një numër të madh veprash shkencore, me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe politike. Kërkimet e tij shkencore mbi historinë e hershme shqiptare, historinë e të drejtës zakonore dhe ligjeve të traditës, aktet juridike të periudhës veneciane apo kohës së Skënderbeut, si dhe studime të tjera të avancuara ballkanologjike e bizantine, - janë një pasuri e madhe kombëtare, një kontribut me vlera të rralla, një thesar mendimi e kërkimi për brezat e sotëm, për njohjen më të mirë dhe më profesionale të periudhave të hershme historike të shqiptarëve dhe organizimeve të tyre politike, juridike dhe shoqërore.

Kjo krijimtari e bën At Valentinin të veçantë, e dallon atë nga figurat e tjera krijuese të së njëjtës tematikë dhe e bën veprën e tij të denjë për t’u nderuar sot edhe zyrtarisht, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Akti zyrtar i nderimit është individual për personalitetin e shquar të At Valentinit, për veprën e tij të pasur akademike, për kontributin e çmuar në studimin dhe përjetësimin e akteve, ngjarjeve dhe dëshmive historike mbi shtetin shqiptar që nga periudha ilire dhe deri në shekullin XX.

KOMENTE