Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me z Zbigniew Hockuba dhe Stefka Slavova, drejtues të Bordit të BERZH për rajonin. Drejtuesit e BERZH kanë falenderuar zotin Basha për zhbllokimin e projektit për ndërtimin e qendrës së kontrollit të trafikut, fondet për të cilin ishin lëvruar që në vitin 2005. Me marrjen e detyrës nga zoti Basha dhe në bashkëpunim me BERZH, Bashkia e Tiranës nisi procedurat dhe përzgjodhi kompaninë e cila do të nisë punën për ndërtimin e kësaj qendre që do të ndihmojë në kontrollin dhe menaxhimin e trafikut në Tiranë. Drejtuesit e BERZH-it shprehen vlerësim për transparencën e procesit dhe respektimin e kushteve të BERZH në përzgjedhjen e kompanisë që do të bëjë të mundur realizimin e këtij projekti.
Drejtori i Bordit të BERZH për rajonin z Zbigniew Hockuba vlerësoi edhe vendimin e zotit Basha për marrjen në administrim të Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, sikundër shprehën angazhimin e tyre për të asistuar Bashkinë në planifikimin e investimeve në këtë sektor.
Terminali i ri multimodal i pasagjerëve ishte një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar në këtë takim. BERZH ka dhënë një fond prej 500 mijë eurosh për bërjen e studimit të fizibilitetit për terminalinalin dhe pritet që studioja fituese të përzgjidhet këtë muaj. 11 studio kanë shprehur interes për kryerjen e studimit të fizibilitetit për terminalin multimodal të Tiranës. Drejtuesit e BERZH janë shprehur të kënaqur me ecurinë e deritanishme të procedurave të cilat sipas tyre kanë vijuar më shpejt se për çdo projekt tjetër. Kryebashkaku dhe drejtuesit e BERZH kanë diskutuar edhe për projekte të tjera siç janë parkimet, menaxhimi i mbetjeve për ndërtimin e linjave të tramit etj.