Pas mbështetjes që Emiri i Katarit i dha zotit Basha në muajin shkurt për projektin e bulevardit, ka mbërritur në Tiranë një delegacion nga Katari, për të bërë vlerësimin e këtij projekti strategjik, por edhe të disa projekteve të tjera.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e informoi delegacionin e Katarit, mbi konkursin e zhvilluar për këtë projekt ku morën pjesë 7 ndër 20 studiot më të mira të arkitekturës në botë. Zoti Basha bëri të ditur se vlerësimi për projektet u bë nga arkitektë dhe urbanistë të njohur në mbarë botën.
“Studioja fituese e projektit do të shpallet javën e ardhshme” - theksoi zoti Basha, i cili nënvizoi se menjëherë pas shpalljes së fituesit, do të nisë puna për projektin e detajuar i cili duhet të finalizohet brenda një viti. Ndërkohë, do të nisë puna për përgatitjet në terren, me zhvendosjen e Stacionit të Trenit dhe shtyllat e tensionit të lartë.
Projekti, përveç bulevardit me gjatësi 1.8 km, përmban edhe hapësira urbane të gjelbra, mundësi për investime private në të dy anët e bulevardit, ndërtimin e disa institucioneve publike dhe mbi të gjitha do të mundësojë hapjen e mijëra vendeve të reja pune. Faza e parë e këtij projekti është përllogaritur të kushtojë 36 milionë euro.
Pas 100 biznesmenëve kinezë, vizita e këtij delegacioni është një tjetër dëshmi e besimit dhe interesit që Tirana me projektet e saj ngjall tek investitorët e huaj dhe garanci, për të hapur në një kohë të shkurtër, perspektiven e zhvillimit dhe mundësi të mëdha punësimi në qytetin tonë.