English

Mesazh ngushëllimi nga Presidenti Topi për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Irma Bala

Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prof. Dr. Bamir Topi përmes një mesazhi të bërë publik, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen në mënyrë të parakohshme nga jeta të ish-anëtares së Gjykatës së Lartë, Irma Bala (Hebovija).

“Të nderuar familjarë të së ndjerës Irma Bala!

Në këto çaste të rënda për ju, më lejoni t'ju shpreh dhimbjen dhe hidhërimin për ndarjen nga jeta njeriut tuaj të shtrenjtë!

Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i gjyqtares Irma Bala është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme jo vetëm për ju: familjen dhe të afërmit e saj, por edhe për trupën gjyqësore shqiptare në tërësi, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për gjyqtarë të ndershëm dhe profesionistë, siç ishte Irma, të përkushtuar ndaj dhënies së drejtësisë, që u bëjnë ballë me dinjitet, integritet moral dhe profesional sfidave të mëdha me të cilat haset drejtësia.

Duke ju përcjellë ngushëllimet më të sinqerta, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen në këtë momente të trishtuara si dhe të shpreh njëkohësisht edhe vlerësimin personal dhe institucional për përkushtimin njerëzor e profesional të njeriut tuaj të dashur ndaj detyrës së shenjtë të gjyqtarit!” – thekson në mesazhin e tij Presidenti i Republikës.

KOMENTE