English

Presidenti Topi pret Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Ceska Caçeva

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka pritur dje në një takim të veçantë, Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Ceska Caçeva dhe delegacionin parlamentar që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kreu i shtetit vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të gjithanshme mes dy vendeve tona, duke përfshirë dhe atë t dialogut dhe bashkëpunimit politik, si dhe inkurajoi zgjerimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, sidomos në fushën e bashkëpunimit ndër-parlamentar, por dhe në drejtim të rritjes së shkëmbimeve tregtare, në energjetikë, turizëm, infrastrukturë, nëpërmjet projekteve konkrete.

Presidenti Topi e njohu zonjën Caçeva me zhvillimet më të fundit politike në vend dhe me përpjekjet e shtetit shqiptar për realizmin e reformave të rëndësishme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në përmbushjen e kritereve dhe të detyrimeve që rrjedhin nga aspirata e vendit tonë për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit vlerësoi dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Bullgarisë në këtë proces, për të ndarë përvojën integruese të saj në familjen evropiane, pasi “një kontribut i tillë ndikon jo vetëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona në fusha me interes të ndërsjellë, por në mënyrë të veçantë për të vazhduar reformën në Parlament, edhe në kuadër të sfidave të përbashkëta rajonale, çka shërbejnë në ruajtjen e stabilitetit e prosperitetit në të gjithë rajonin tonë”.

Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Ceska Caçeva, pasi falënderoi për pritjen e rezervuar nga Kreu i shtetit shqiptar dhe vlerësoi këtë takim si mjaft të rëndësishëm, vuri në dukje mbështetjen e Bullgarisë në drejtim të konsolidimit të demokracisë dhe forcimit të bashkëpunimit parlamentar dhe kryerjen e reformave të nevojshme me qëllim përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë. Zonja Caçeva shprehu gatishmërinë e plotë për të vijuar më tej me bashkëpunimin dypalësh ndër-parlamentar për ndarjen e përvojës pozitive integruese të Bullgarisë në Bashkimin Evropian.

Kryeparlamentarja bullgare vuri në dukje se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe shprehu dëshirën e mirë për një finalizim të suksesshëm të aspiratës integruese të shtetit dhe të popullit shqiptar, duke vlerësuar njëkohësisht dhe rolin institucional të Presidentit Topi si simbol i bashkimit të popullit.

KOMENTE