English

Rektori i universitetit publik Aristotelis në Greqi, takohet me kryeministrin Berisha

Kryeministri Berisha ka pritur priti sot, në takim, rektorin e universitetit publik “Aristotelis”, në Greqi, Prof. Yannis Manolopoulos. Në takim ishte i pranishëm edhe rektori i universitetit të Tiranës Dhori Kule.

Gjatë takimit, zoti Manolopoulos u shpreh me kënaqësi që midis universitetit “Aristotelis” dhe universitetit të Tiranës është vendosur një marrëdhënie dhe bashkëpunim i mirë me disa fakultete të universitetit të Tiranës. Bazuar edhe në eksperiencën e krijuar, ai i shprehu Kryeministrit interesin e universitetit të tij për të zgjeruar fushat e bashkëpunimit midis dy universiteteve, si në zgjerimin e kontakteve dhe bashkëpunimit me fakultete të tjera, bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor, shkëmbimit të përvojave përmes rritjes së mobilitetit të pedagogëve dhe studentëve, në mundësinë e pasjes së programeve të përbashkëta të studimit etj.. Zoti Manolopoulos i bëri të ditur Kryeministrit edhe synimin e universitetit të tij për të hapur degën e gjuhës shqipe në këtë universitet.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen zotit Manolopoulos, përshëndeti bashkëpunimin e vendosur midis universitetit të Tiranës dhe universitetit “Aristotelis”, duke mbështetur thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes tyre, në aspekte me interes të përbashkët. Kryeministri, pasi e njohu zotit Manolopoulos me disa nga reformat e ndërmarra në fushën e arsimit, veçanërisht të arsimit të lartë, theksoi se arsimi përbën një prioritet në programin e qeverisë shqiptare dhe përpjekjet tashmë janë fokusuar në rritjen e cilësisë në arsim. Kryeministri vlerësoi gjithashtu një hap të rëndësishëm dhe të mirëpritur hapjen e degës së gjuhës shqipe në universitetin publik Greqi.

KOMENTE