English

Topalli në konferencën: Brain drain, brain gain

Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ka zhvilluar punimet Konferenca e dytë rajonale e shoqatave të ish-praktikantëve të Parlamentit Gjerman nga Evropa Juglindore, me temë: “Brain drain, brain gain; problematika në Shqipëri dhe Rajon”.

Kjo konferencë, organizohet nga Klubi shqiptar i bursantëve të Bundestag-ut gjerman (IPS-Albania), me mbështetjen e Parlamentit gjerman, Kuvendit të Shqipërisë, Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Fondacionit Hanns-Seidel, në Tiranë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të IPS nga vende të rajonit si, Bosnjë–Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Serbia e Sllovenia, Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Muler-Holtkemper, pedagogë etj.

Kryetarja Jozefina Topalli duke përshëndetur të pranishmit falenderoi Bundestagun gjerman për krijimin e programit “Bursa Parlamentare Ndërkombëtare” ndërsa vuri theksin tek rëndësia e veçantë e kësaj konference, e cila, siç vlerësoi ajo, prek ndërtimin e të ardhmes së vendit.

Duke bërë një prezantim të shkurtër të arritjeve që Shqipëria ka shënuar vitet e fundit në fushën e arsimit, Kryetarja e Kuvendit vuri theksin tek e ardhmja që vendi ofron për të gjithë ata të rinj që mbarojnë studimet jashtë vendit, si një mundësi për të dhënë dhe ata kontributin e tyre në progresin drejt integrimit europian.

“Këto vite, falë reformave të ndërmarra, janë karakterizuar nga rikthimi në rritje të një numri të madh personash të kualifikuar jashtë vendit. Shpeshherë kam patur fatin të takohem me studentë që kanë studiuar jashtë vendit. Shumë prej tyre shtronin gjithmonë një pyetje shumë të rëndësishme: “A ja vlen të kthehesh në Shqipëri?” përgjigja ime ka qënë përherë një PO që vjen spontanisht dhe shumë e sinqertë.) Po, ja vlen të kthehesh në Shqipëri sepse sot Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik! Po, ja vlen të kthehesh në Shqipëri sepse Shqipëria është vetëm një hap prej integrimit të saj në Bashkimin Europian dhe kur kjo të ndodhë të gjithë ju do të ndiheni krenarë e do të thoni: edhe unë dhashë kontributin tim!” u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Ambasadorja gjermane, Carola Muler-Holtkemper vlerësoi bashkëpunimin e Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të kësaj konference ndërsa tha se përmes këtij programi i cili aplikohet prej shumë vitesh synohet forcimi i vlerave demokratike, tolerancës, mirkuptimit për shumëllojshmërinë kulturore dhe bashkëjetesën paqësore.
Edhe ambasadorja, Holtkemper ndau të njëjtin mendim me Kryetaren Jozefina Topalli lidhur me të rinjtë që përfundojnë studimet jashtë shtetit, se i’a vlen të kthehesh në Shqipëri për tu bërë pjesë e ndryshimeve, suksesit ekonomik dhe afrimit të vendit me strukturat europiane.

“Pyetjes që shtroi zonja Jozefina Topalli, do doja t’i shtoja dhe unë një përgjigje: Po, i’a vlen të kthehesh në Shqipëri! Sepse ky potencial është i nevojshëm për të realizuar pikërisht ato ndryshime strukturore që janë të nevojshme për Shqipërinë. Me arsimin si bazë të inovacioneve, suksesit ekonomik, ju do të mund të kontribuoni në shtrimin strukturor, i cili do të jetë baza më pas, për suksesin dhe përqasjen aq të rëndësishme të rajonit me strukturat europiane” u shpreh ambasadorja gjermane.

KOMENTE