English

Viti i dixhitalizimit të Shqipërisë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim të zgjeruar me ministra të kabinetit qeveritar dhe me drejtorët e agjencive kryesore dhe institucioneve që kanë në zbatim projekte në fushën e teknologjisë së informacionit dhe dixhitalizimit.

Kryeministri Berisha tha se kjo mbledhje vjen si domosdoshmëri e koordinimit të punës ndërmjet të gjitha ministrive, agjencive dhe strukturave në këtë fushë, për të theksuar edhe njëherë detyrimet madhore të secilit prej tyre që dalin nga anëtarësimi i Shqipërisë në Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Nisma e Partneritetit për Qeverisje të Hapur ka rreth 46 objektiva dhe ka si shtyllë kryesore dixhitalizimin e proceseve, e shërbimeve dhe hapjen e të dhënave për qytetarët, për biznesin, për zyrtarët, etj., duke bërë disponibël të dhënat e agjencive përkatëse, në një sportel të vetëm.

Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se po punohet për projektin e inter-operabilitetit, i cili përbën edhe “zemberekun” e qeverisjes elektronike, pasi ai harmonizon shërbimet midis agjencive shtetërore, shërbimet midis agjencive dhe qytetarëve, midis agjencive dhe biznesit.

Kryeministri theksoi se kjo kërkon vullnet dhe çdo sistem që ngrihet në të gjitha agjencitë, duhet të ketë si kërkesë bazë përputhjen e plotë me projektin e inter-operabilitetit, kompaktivitetin e tij me këtë projekt. Qëllimi është që të gjitha këto sisteme të jenë disponibël në një sportel të vetëm, në çdo moment e në çdo zyrë ku duhen.

Më pas, Kryeministri renditi një sërë detyrash specifike të secilës ministri apo agjenci në këtë drejtim.

Duke vlerësuar punën e bërë nga çdo strukturë dhe duke shprehur besimin për finalizimin me sukses të këtij procesi, Kryeministri u shpreh se nuk ka dhuratë më të bukur që mund t’i bëhet Shqipërisë e shqiptarëve, në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, sesa realizimi i Shqipërisë dixhitale.

KOMENTE