English

400 të rinj punësohen në kryeqytet brenda 3 muajsh

Bashkia e Tiranës dhe mbi 200 biznese të kryeqytetit kanë nisur që sot një marrëdhënie të re bashkëpunimi, në shërbim të punësimit të të rinjve. Përmes një marrëveshje të nënshkruar mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha dhe Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë z. Nikolin Jaka është rënë dakort që brenda 3 muajsh, të punësohen rreth 400 të rinj të sapodiplomuar.

“Kjo marrëveshje shërben për të lidhur Bashkinë e Tiranës dhe mbi 200 biznese si fillim, në një marrëdhënie të re, ku ne bashkarisht marrim përsipër të identifikojmë dhe punësojmë brenda një periudhe tre mujore nga dy të rinj të sapodiplomuar, për secilin nga këto 200 biznese. Mund t’ju them se nga të gjithë marrëveshjet e nënshkruara deri tani, kjo është ndër ato që do ta ndjek me kënaqësi, si prioritet absolut, çdo ditë deri në përfundimin e realizimit të këtij angazhimi madhor. Le ta dinë pra, qytetarët e Tiranës dhe në veçanti të rinjtë, që sot nuk bëjmë thjesht nënshkrimin në një copë letër, por marrim përsipër që brenda një periudhe tre mujore, nëpërmjet biznesit të kryeqytetit të hapim 400 vende pune, për 400 të sapodiplomuar të universiteteve të Tiranës” – theksoi Kryebashkiaku Basha.

Në marrëveshje sanksionohet bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, përmes ngritjes së një Qendre Trajnimesh dhe Konsultimesh karriere, për të rinjtë e kryeqytetit, qendër e cila do të financohet 50% me fondet publike të Bashkisë së Tiranës dhe 50% me fondet e Dhomës së Tregtisë së Tiranës. Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë janë angazhuar për të ofruar tarifa të reduktuara, për një sërë shërbimesh dhe produktesh.

“Nëpërmjet këtij rrjeti të përgjegjshëm që quhet Dhoma e Tregtisë së Tiranës, ne ia kemi dalë të arrijmë një nga synimet kryesore të Kartës së Studentit, ofrimin e shërbimeve me kosto të reduktuar për studentët në qytetin e Tiranës dhe në vend që bizneset t’i kapim një e nga një, ia kemi ngarkuar këtë detyrë Dhomës së Tregtisë, e cila e ka kryer deri më sot shumë mirë. Sigurisht ka hapësira të mëtejshme, por përsëri nëpërmjet këtij kanali bashkëpunimi do t’ia dalim që në sektorë të ndryshëm të shërbimit në qytetin e Tiranës, nga ato të tregtimit të ushqimit tek ato të kulturës, artit, shërbimeve etj, t’u ofrojmë të rinjve të Tiranës, në veçanti studentëve, çmime më të ulura se çmimi normal, e cila është një praktikë që pa dyshim sjell një standart europian dhe një praktikë europiane në qytetin tonë” – u shpreh z.Basha.

Zoti Basha ka theksuar në këtë takim vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për të mbështetur biznesin e kryeqyetit, gjë që është dëshmuar që në ditët e para të kësaj administrate, me rishikimin dhe heqjen e mbi 60 tarifave dhe reduktimin e disa prej taksave ndaj biznesit, me krijimin e Qendrës me një ndalesë për liçencat dhe me vendosjen e standartit prej 55 ditësh, si maksimum për marrjen e një leje ndërtimi, standart i cili do të nisë të zbatohet menjëherë pas miratimit të Planit të ri Urbanistik.

“Plani Urbanistik do të mbështesë biznesin në disa nivele, pikë së pari duke i dhënë biznesit siguri dhe transparencë për atë çfarë qyteti do të pësojë në vitet e ardhshme. Nuk do të ketë më plane që janë produkt i kontaktit klientelist apo të privilegjuar, por do të ketë plane të shpalosura qartë, zhvillimi i të cilave mund të bëhet në mënyrë të parashikueshme nga investitorët e qytetit, por pse jo edhe nga investitorët e huaj” – theksoi Kryetari i Bashkisë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë z. Nikolin Jaka ka shprehur mirënjohjen ndaj Kryetarit të Bashkisë, për lehtësirat që i ka krijuar sipërmarrjeve të kryeqytetit.

KOMENTE