English

Berisha. Gjykata shqiptare, i përmbahet ligjit dhe drejtësisë

Kryeministri Berisha ka qënë dje i pranishëm në pritjen e organizuar nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, me rastin e çeljes së punimeve të "Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qëndrore dhe Lindore".

Në këtë konferencë marrin pjesë Kryetarët e Gjykatave të Larta të:

Shqipërisë, Azerbajxhanit, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjeorgjisë, Hungarisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Sllovakisë, Ukrainës dhe gjyqtarë e juristë të shquar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo konferencë, dikur nismë e Institutit CEELI me seli në Pragë, tanimë, me një vendim unanim të kryetarëve të Gjykatave të Larta të këtyre shteteve, do të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse. Shqipëria është vendi i parë që çel punimet e “Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qëndrore dhe Lindore”.

Në pritje merrnin pjesë Alexander A. Arvizu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, John M. WalkerJr. Gjyqtari Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qarkun e Dytë dhe J. Clifford Wallace, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qarkun e Nëntë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për këtë aktivitet dhe falenderoi kryetarët e gjykatave të vendeve mike që përzgjodhën Tiranën si kryeqytet të drejtësisë për rajonin.

Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu vlerësimin për Gjykatën e Lartë dhe trupin gjykues të Shqipëri në tërësi, i cili, siç theksoi ai, në një hark kohor relativisht të shkurtër është shndërruar nga njërin prej gjykatave dhe trupave gjykuese më të politizuara të planeti, në një gjykatë dhe trupë gjykues, që i përmbahet ligjit dhe të drejtësisë, dhe ndër më pak të politizuarit.

Në këtë kuadër kryeministri theksoi se një tregues i kësaj është fakti se nga viti 2005 ku popullata e burgjeve të Shqipërisë përbëhej gjithsej nga 1800 të burgosur, sot ajo numëron rreth 5 mijë.

"Me vendimet tuaja ju e keni bërë shumë të sigurt dhe më të lirë shoqërinë shqiptare", u shpreh ai.

Kryeministri vlerësoi se një shoqëri e lirë bazohet para së gjithash dhe mbi të gjitha në lirinë dhe paqen, por liria dhe paqja, tha ai, kanë për garant kryesor një sistem drejtësie të konsoliduar dhe më të drejtë. "Thuhet se, paqja nuk ka të kundërt luftën, të kundërt ka mungesën e drejtësisë. Theksova ketë moment sesa i rëndësishëm është për paqen e brendshme të individit, të familjes, shoqërisë, vendimi i drejtë i gjykatave, por është po kaq i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Nuk mund të ketë shtet ligjor pa vendimet tuaja të drejta dhe zbatimin e tyre", u shpreh kryeministri Berisha.

"Ju në çdo komb përfaqësoni një komunitet të vogël dhe mbi ju projektohen presione të shumta, të pandershme ndaj nuk ka mekanizëm dhe mjet më të sigurt për mbrojtjen e pavarësisë tuaj, sesa transparenca e plotë e veprimtarisë suaj", theksoi kryeministri.

Në mbyllje të fjalës, kryeministri siguroi se qeveria, në klimën e krijuar të bashkëpunimit me opozitën, është e vendosur të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, të cilat të konsolidojnë më tej pavarësinë e gjykatave të vendit dhe të krijojnë kushtet optimale për një veprimtari kaq të rëndësishme dhe jetike për një vend të lirë.

KOMENTE