14 kryetarë të gjykatave të larta të vendeve të ndryshme, merrnin pjesë në Konferencën rajonale mbi gjyqësorin, ku morri pjesë dhe Presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili e vuri theksin tek pavarësia e gjyqësorit dhe integriteti i gjyqtarëve, si një mënyrë për të kundërshtuar ndikimet e interesave të politikes mbi sistemin e drejtësisë.
Pas falënderimeve të tij mbi pjesëmarrjen e të ftuarve ai u shreh:
"Është kënaqësi dhe privilegj për mua të marr pjesë në këtë takim interesant dhe të veçantë, por në të njëjtën kohë edhe shumë të rëndësishëm, që lidhet me zhvillimet dhe problematikën me të cilat përballet aktualisht drejtësia dhe pushteti gjyqësor si dhe vetë gjykatat e larta në vendet tona.
Është kënaqësi dhe nder të flas në këtë takim të një niveli kaq të lartë dhe me përfaqësues dinjitarë të pushtetit gjyqësor, për një çështje sinjifikative, siç është rëndësia e rritjes së performancës së pushtetit gjyqësor, në mënyrë të pavarur, me integritet dhe të pandikuar nga çdo formë ndikimi apo presioni.
Demokracitë në zhvillim, që janë në konsolidim të vlerave të rëndësishme sociale, politike dhe demokratike, e kanë të nevojshme dhe të domosdoshme zhvillimin e një pushteti gjyqësor të pavarur, të paanshëm, etik, të besueshëm, efektiv dhe të drejtë.
Unë mendoj se pushteti gjyqësor është në themel të ndërtimit dhe funksionimit të një shoqërie të bazuar në parimet e shtetit të së drejtës. Me këtë peshë dhe rëndësi që ka për institucionet dhe shoqërinë, çdo zhvillim, çdo arritje apo dobësi e pushtetit gjyqësor, ndikon dhe ka pasojë të drejtpërdrejtë në përpjekjet për ndërtimin e modelit të shtetit dhe institucioneve demokratike sipas vlerave më të mira demokratike. Në përpjekjet e kalimit nga një shoqëri e privuar nga demokracia dhe liritë individuale në një shoqëri ku mbizotërojnë parimet e konstitucionalizmit dhe të shtetit ligjor, puna dhe kontributi i sistemit të drejtësisë janë të pazëvendësueshme.
Por, natyrisht kjo gjë nuk është e lehtë. Në një shoqëri ku interesat e politikës apo forma të tjera presioni mbi pushtetin gjyqësor kërkojnë të imponojnë vendimmarrjen dhe anësinë e institucioneve të drejtësisë, janë vetë gjyqtarët ata që duhet të ruajnë të pastra interesat e dhënies së drejtësisë, pavarësinë e institucioneve të demokracisë, dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Shpesh, këto parime janë delikate dhe të vështira për t’u gjetur në formë të shkruar në Kushtetutë apo në ligje të tjera, por, për këtë arsye puna e gjyqtarëve është e bukur dhe e vështirë. Gjetja e frymës dhe shpirtit të ligjit, të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve është një sfidë profesionale dhe intelektuale e përhershme dhe e vështirë. Por, mendoj se nëse udhërrëfyesit e punës së gjyqtarëve do të jenë parimet e kushtetushmërisë, nëse vendimmarrjet gjyqësore do të orientohen nga ndarja dhe balancimi i pushteteve dhe nga pavarësia prej ndërhyrjeve lobuese politike apo ekonomike, gjërat bëhen me të thjeshta dhe zgjidhjet vijnë shumë më normalisht.
Konferenca që organizohet sot në Tiranë është në frymën e diskutimeve për gjetjen e mënyrave më të mira për rritjen e efiçensës së punës suaj në realizim të funksioneve tuaja të nderuara. Gjej rastin të vlerësoj në mënyrë të posaçme dhe të shpreh falenderimet e mia për Institutin CEELI, gjykatat e larta pjesëmarrëse në këtë takim dhe Zonja Beçaj për organizimin e këtij takimi të nivelit të lartë në Tiranë, ku përfaqësues të sistemeve, vendeve, eksperiencave të ndryshme, do të diskutojnë dhe shkëmbejnë mendime për këto çështje.
Edhe pse nuk ju them diçka të panjohur për ju, do të dëshiroja të theksoj se duhet të mësohemi të tërë të respektojmë figurën dhe funksionin e gjyqtarit. Gjykata është garanti i funksionimit të shtetit dhe i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Gjykata nuk është e askujt, por njëkohësisht është e të gjithëve.
Pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk është favor për gjyqtarët, nuk është mundësi apo mjet për të mbuluar mungesën e aftësive profesionale të tyre apo fenomenet korruptive të çdo lloji që cënojnë interesat e drejtësisë. Përkundrazi, krijimi i kushteve ligjore që gjyqtarët të japin një vendim të drejtë dhe të pandikueshëm është një mbrojtje që kushtetushmëria u jep jo gjyqtarëve, por qytetarëve të vet. Vetëm një gjyqtar i pavarur ka mundësinë, autoritetin dhe garancinë që të mbrojë dhe japë drejtësi, jashtë ndikimeve të çdo forme qofshin.
Për këtë arsye, vlerësoj se pavarësia e pushtetit gjyqësor përbën një nga shtyllat bazë ku duhet të mbështetet konsolidimi i shtetit të së drejtës, sipas vlerave të demokracive ku dëshirojmë dhe synojmë ku dëshirojmë të integrohemi.
Nga ana tjetër, mendoj se është e nevojshme që ky koncept të pranohet së pari nga vetë gjyqtarët. Gjyqtari i famshëm amerikan Hand, në vitin 1944 fliste për shpirtin e lirisë dhe shprehej se: “Nëse liria vdes në zemrat e njerëzve atëherë nuk ka Kushtetutë, ligje apo gjykatë që ta shpëtoje atë”. Unë dëshiroj t’u them gjyqtarëve se nëse ata vetë nuk janë të ndërgjegjshëm për forcën e madhe që i jep pavarësia e dhënies së drejtësisë zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë, atëherë as Kushtetuta dhe as ligjet nuk mund të bëjnë dot gjë.
Të nderuar pjesëmarrës!
Arritja e standarteve më të mira në dhënien e drejtësisë kërkon përpjekje nga të gjithë, por mbi të gjitha kërkon që vetë gjyqtarët të rrisin cilësinë e veprimtarisë së sistemit të drejtësisë. Gjykata e Lartë padyshim ka një rol mjaft të rëndësishëm dhe të posaçëm në gjithë këtë përpjekje. Është Gjykata e Lartë ajo që ka një rol thelbësor në funksionimin e tërë sistemit gjyqësor.
Sado kontrolle, inspektime apo procedime disiplinore të ketë ndaj gjykatave dhe gjyqtarëve, efekti që sjell kontrolli i brendshëm gjyqësor është shumë më i rëndësishëm. Verifikimi i vendimeve gjyqësore lidhur me zbatimin e ligjit dhe drejtësinë e tyre nga gjykatat më të larta është mënyra më e mirë dhe më efikase për të ndaluar dhe parandaluar vendime të padrejta dhe të pambështetura mbi parimet e drejtësisë.
Është vetëm gjykata më e lartë ajo që mund t’i hyjë në themel një vendimi gjyqësor është vetëm ajo gjykatë, e cila mund të vlerësojë drejtësinë e dhënë. Në këtë këndvështrim roli i Gjykatës së Lartë është i pazëvendësueshëm dhe kontributi nëpërmjet unifikimit të sa më shumë praktikave gjyqësore ndikon maksimalisht në përmirësimin e sistemit në përgjithësi.
Unë besoj dhe uroj që kjo Konferencë të jetë një hap i parë i rëndësishëm në shkëmbimin e përvojave më të mira të gjykatave të larta, për të konsoliduar drejtësinë dhe gjetur format më të mira të rritjes së efikasitetit të punës suaj të nderuar! Uroj gjithashtu, që kjo Konferencë të ndiqet edhe nga të tjera për diskutimin e problemeve që shqetësojnë sistemet e drejtësisë së vendeve tona dhe në ndihmë të procesit të konsolidimit të këtyre sistemeve!
Unë dëshiroj edhe njëherë t’ju falënderoj për të gjithë angazhimin tuaj, motivimin tuaj, të gjithë predispozicionin për të qenë sot së bashku në Tiranë, në një vend sikurse është Shqipëria, që ka kaluar vërtet një tranzicion disi të vështirë! Një tranzicion, i cili sigurisht që është në përmbyllje të tij, një tranzicion ku më shumë se për çdo gjë tjetër, sot qytetarët flasin për nevojën e konsolidimit sipas të gjitha standardeve më të mira bashkëkohore për drejtësinë, në një vend i cili gjatë këtyre viteve ka pasur një sukses të pamohueshëm dhe një arritje sikurse është integrimi në NATO, në një vend ku të gjithë së bashku, të gjithë faktorët politikë qofshin këta në pozitë apo në opozitë, dhe sidomos si një aspiratë e thellë e popullit shqiptar, dëshiroj që në këtë 100-vjetor të themelimit të shtetit shqiptar, të kenë mundësi që të marrin statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian! Dhe padyshim, një nga kriteret themelore që do ta bëjë të mundur këtë, është arritja sa më shpejt të jetë e mundur, e standardeve që kanë të bëjnë me drejtësinë. Dhe unë besoj që ky takim sot, me pjesëmarrjen e figurave kaq të nderuara, do t’ju japë shansin jo vetëm të shkëmbimit të mendimeve, të marrjes së eksperiencës, por do të jetë patjetër edhe një ekspoze e atij interesi madhor që unë sapo e shpreha, që është integrimi në Bashkimin Evropian.
Edhe njëherë faleminderit për pjesëmarrjen tuaj, për vëmendjen! I uroj kësaj Konference sukses! Faleminderit!