English

Bulevardi i ri dhe lumi i Tiranës është projekti më madhor që qyteti po harton, shprehet Basha

Ka nisur sot faza e dytë e konkursit, për projektin e Bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Dy studiot në konkurim DAR dhe Grimshaw u janë përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga ekspertët dhe anëtarët e jurisë, për një sërë çështjesh, për të cilat nuk ishin adresuar qartë zgjidhje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka konsideruar këtë javë si mjaft të rëndësishme, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të kryeqytetit shqiptar, javë e cila nis me përzgjedhjen e fituesit të bulevardit dhe përfundon me draft - planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës.

“Projekti i Bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës është pa dyshim projekti më madhor që qyteti po harton për veten e tij në këto 80 vitet e fundit dhe për nga problemet me të cilat kërkon të ndeshet, sfidat që kërkon të kapërcejë dhe vizionin që do të lerë, është pa dyshim edhe projekti më i rëndësishëm, të paktën për 50 vitet e ardhshme. Ndaj para ngutjes, ne zgjodhëm durimin, zgjodhëm informimin e të gjithë palëve të interesuara, zgjodhëm t’i lemë kohë më të mirës, që të dalë në pah” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Zoti Basha ka bërë gjithashtu të ditur se paralelisht me konsultimet, dëgjimit të sugjerimeve të ekspertëve më të mirë dhe të qytetarëve, për të arritur në përzgjedhjen e projektit më të mirë për bulevardin dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, është ecur me përgatitjet në terren, për të nisur pa humbur kohë me punimet, kur të finalizohet projekti i detajuar.

"Nuk kemi ndenjur “duarkryq” as sa i përket planifikimit. Këto dy muaj kanë shërbyer për të forcuar lidhjet tona me partnerët, veçanërisht me partnerët tanë financiarë, për të qartësuar çështje të pronësisë dhe legjislacionit, sa i përket lëvizjes me shpejtësi sa më të madhe dhe pa humbur kohë, drejt implementimit të këtij projekti. Kemi diskutuar me grupet e interesit, në veçanti me botën universitare, se si mund të maksimalizojmë përfitimet afatgjata të këtij projekti edhe në pjesë të tjera të qytetit të Tiranës, ndonëse vetë projekti prek jo më pak se 1/5 e Tiranës. Kemi diskutuar me botën e biznesit, impaktin e mënjehershëm që implementimi i projektit do të ketë në hapjen e mijëra vendeve të punës për qytetarët e Tiranës dhe impaktin afatgjatë në krijimin e një impulsi të ri dhe një poli të ri zhvilimi ekonomik për Tiranën, për Shqipërinë dhe në fakt për të gjithë rajonin" - u shpreh z.Basha.

Në ditën e dytë të këtij konkursi, të dy studiot do u përgjigjen pyetjeve që do të vijnë nga anëtarët e grupit teknik dhe strategjik, të Planit Urbanistik si dhe pyetjeve të bëra nga qytetarët, ndërkohë që të mërkurën pritet të shpallet dhe fituesi i këtij konkursi.

KOMENTE