Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, Çemil Çiçek, si dhe delegacionin që e shoqëronte.
Duke uruar mirëseardhjen, Kryetarja Jozefina Topalli e cilësoi këtë vizitë si dëshmi të marrëdhënieve të forta miqësore që vendet kanë me njëra-tjetrën ndërsa vlerësoi se Turqia është një nga partnerët strategjik të Shqipërisë. Znj. Jozefina Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme që Turqia ka dhënë ndaj Shqipërisë në të gjitha drejtimet.
Pasi falenderoi Kryetaren e Kuvendit për ftesën dhe mikpritjen, z. Çiçek shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, ku siç edhe u shpreh, në këtë vizitë që përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë ndihet i rrethuar mes miqsh.
“Jam i lumtur që vizitoj Shqipërinë, ne vijmë në këtë vizitë si miq të afërt të shqiptarëve. Ne jemi të kënaqur që në vendin tonë ka shumë shtetas me origjinë shqiptare. Marrëdhëniet tona janë shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve, në rajon por edhe në nismat ndërkombëtare. Të dyja vendet tona bashkëjetojnë si dy familje të rëndësishme. Shqipëria është vend jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me një rol kyç në Ballkan. Dhe unë dua ta theksoj: Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në rajon, pa pjesëmarrjen e Shqipërisë” tha Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë, Çiçek.
Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë vlerësuan aspiratën e të dyja vendeve për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, si një proces i rëndësishëm ku vendet janë të angazhuara për të arritur standardet dhe filozofinë e vlerave europiane.
Dy homologët shprehën angazhimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin në nivel parlamentar duke nxitur rritjen e shkëmbimeve të vizitave përmes delegacioneve të komisioneve parlamentare, grupeve të miqësisë etj.
Ata vlerësuan gjithashtu se marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve në nivelin politik janë të shtrira me sukses në të gjitha fushat, veçanërisht në atë ekonomike, infrastrukturë, energjetikë, sektorin bankar, arsim, gaz, naftë, turizëm etj.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi faktin se në vitet e fundit investimet direkte turke në Shqipëri, nga vetëm 100 milionë dollarë që ishin në vitin 2004, sot janë 10-fishuar duke arritur në 1 miliardë dollarë, po ashtu rritje domethënëse kanë shënuar edhe shkëmbimet tregtare si dhe financimet në projekte madhore e të suksesshme. Znj Jozefina Topalli dhe Z,Çiçek vunë theksin tek forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik, ku siç vlerësuan ata, ka ende hapësira në të cilat mund të eksplorohen investime e projekte strategjike. Aktualisht, Parlamenti shqiptar ka miratuar 160 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi me Turqinë.
Kryetarja Jozefina Topalli vlerësoi rolin e Turqisë në nxitjen e njohjeve të Kosovës. Lidhur me këtë çështje, z. Çiçek tha se mbështetja e Kosovës dhe rritja e njohjeve të saj është një ndër çështjet kryesore në axhendën e qeverisë turke.
Një temë tjetër e rëndësishme gjatë takimit ishte edhe projekti i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline, ku Kryetarja e Kuvendit kërkoi mbështetjen e Turqisë për realizimin e kalimit të këtij gazsjellësi përmes Shqipërisë, çka do të sillte një impakt të jashtëzakonshëm ekonomik jo vetëm për vendin tonë por edhe për rajonin e më gjerë.
Duke shprehur edhe njëherë kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, z. Çiçek i shprehu Kryetares së Kuvendit ftesën dhe se e mirëpret në një vizitë zyrtare në Turqi.