English

Këshilli i Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE

Këshilli i Stabilizim-Asociimit (Këshilli SA) ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian mbajti mbledhjen e katërt më 15 maj 2012. Mbledhja u kryesua nga z. Edmond Haxhinasto, zv.Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë. Në delegacionin shqiptar bënte pjesë edhe Ministrja e Integrimit, znj. Majlinda Bregu dhe Kryetari i Komisionit parlamentar për Integrimin Europian, z. Ditmir Bushati.

Bashkimi Evropian u përfaqësua me Ministrin e Jashtëm Danez z. Villy Sovndal, Komisionerin për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë të Komisionit Evropian, z. Stefan Fyle, Drejtorin e zgjerimit ne BE, Stefano Sanino, Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm Evropian, z. Fernando Xhentilini dhe ambasarori I BE në Shqipëri Etore Sequi.

Në këtë takim u bë një vlerësim tërësor i progresit që Shqipëria ka arritur në secilin nga 12 prioritetet e Komisionit Evropian, përafrimin e legjislacionit me atë të BE, zbatimin e MSA-së si dhe mbi rolin e Shqipërisë në rajon.

U vlerësua, gjithashtu, prezenca e opozitës si pjesë e delegacionit shqiptar në këtë takim të këshillit.
U ra dakort me palën europiane që afati i sotëm për reformën elektorale të mos jetë një “mur betoni”, por që gjithsesi kjo reformë duhet të mbyllet para datës 24 maj.

Në ndërhyrjen e saj ministrja Bregu theksoi se proçesi i integrimit duhet të jetë një proces bashkëpunimi i sinqertë dhe, konfirmoi se maxhoranca ka shprehur vullnetin si në Komisionin Zgjedhor ashtu dhe në Komisionin për rregulloren parlamentare, që të pranojë çdo ndryshim që përputhet me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it si dhe rregulloren e Parlamentit Europian.

Nisur nga kjo, ministrja Bregu theksoi se pavarsisht se votimi me zarf nuk është një proçedurë e zakontë në Parlamentin Europian, maxhoranca është e gatshme ta pranojë edhe për zgjidhjen e Presidentit të ri, si shprehje kjo e vullnetit për të përmbyllur reformat e përbashkëta, e për të çuar përpara proçesin e integrimit të vendit në BE.

Po kështu ministrja Bregu rikonfirmoi qëndrimin e maxhorancës për të votuar heqjen e imunitetit, sido që të jetë propozimi i opizitës.

Në lidhje me çështjen e Presidentit z. Haxhinasto konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet bazuar në Kushtetutë, në mënyrë që situata politike në Shqipëri të mos jetë pozitive vetëm për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, por edhe në vend, për të patur një bashkëpunim më pozitiv mes të gjitha institucioneve në Shqipëri.

Z. Haxhinasto theksoi ndër të tjera se Shqipëria ka mundësinë dhe aftësinë për të përmbushur në kohë detyrimet e procesit të anëtarësimit dhe arritjen e objektivave të përbashkëta. Ai vuri në dukje se duhen kurorëzuar me sukses çështjet e mbetura, dhe se përpjekjet konstruktive të të gjitha palëve, të angazhuara në këtë proces, duhet të vazhdojnë në këtë drejtim.

Në fund të takimit, Këshilli i Stabilizim Asociimit doli me një deklaratë të përbashkët për shtyp, e pasuar nga një konferencë për mediat, ku përfaqësuesit e BE dhe përfaqësuesit shqiptarë iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

KOMENTE