Në të gjithë Shqipërinë zhvillohen takime e tryeza për të ndarë pikëpamjet Partisë Socialiste dhe shqetësimet që dalin nga situata aktuale, por edhe nevojat që kanë njerëzit të cilat ata duan t’i shikojnë të trajtuara si duhet nga Programi për Një Rilindje Shqiptare. Edi Rama dhe Grupi i punës për Shëndetësinë kanë qenë në qytetin e Vlorës, ku kanë bashkëbiseduar me bluzat e bardha, por edhe qytetarë.
Rama tha se dallimi është shumë i qartë mes Partisë Socialiste dhe palës tjetër pasi PS do të garantojë shërbim shëndetësor universal, që nënkupton blerjen nga shteti të shërbimit shëndetësor edhe për ata që janë të pasiguruar. “Ne do të themelojmë shërbimin kombëtar shëndetësor, një strukturë e re që do të bëj të mundur transformimin e sistemit shëndetësor. Sot kemi një shërbim shëndetësor të degraduar që ka cënuar rëndë dinjitetin e atyre që punojnë në këtë shërbim, dinjitetin profesional njerëz dhe dinjitetin shoqëror të vendit. Duke e transformuar tërësisht sistemin shëndetësor, njerëzit do të shërbehen denjësisht.” “Qëllimi ynë është që në fund të kësaj rruge dhe përpara zgjedhjeve të ardhshme ne të kemi një plan shumë të detajuar për të gjitha fushat që mbulon program qeverisës. Dhe të jemi në gjendje tu themi njerëzve ekzaktësisht se cili është plani ynë, ku do të ndërhyjmë, si do të ndërhyjmë dhe në sa kohë ne presim rezultatet e para nga ndërhyrja jonë në çdo sektor”.
Kjo tryezë në Vlorë u shtrua në formën e një bashkëbisedimi shumë interesant me pyetje e përgjigje lidhur me atë se çka është parashikuar në draft programin e PS dhe çfarë duhet përmirësuar më tej, që të jetë një Program qeverisës të socialistëve për të përmbushur nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve në sektorin e shëndetësisë.
“Jam I bindur që katër vjet të një mandati qeverisës janë të pamjaftueshëm për të transofrmuar rrënjësisht nga pikëpamja e funksionimit në çdo pjesë të vetën shërbimit shëndetësor shqiptar. Por jam I bindur njëkohësisht që katër vjet janë plotësisht të mjaftueshëm për të parë frytet e para të këtij transformimi. Është e sigurt që kështu nuk vazhdohet më. Është e sigurt që ky sistem shëndetësor që kemi sot sjell vetëm degradim dhe demoralizim të vazhdueshëm, rrënim të mëtejshëm. Ashtu sikundër jam I bindur që politika që kemi zgjedhur, e cila është një politikë radikale në raport me situatën e sotme, është një terapi shumë e fortë, por pa dyshim e suksesshme për të ndërhyrë dhe për ta operuar gjithë sistemin duke bërë të mundur që ai të ngrihet në këmbë dhe të jetë në gjendje tu shërbej denjësisht qytetarëve”.
Rama tha se ndryshimi është shumë i dukshëm mes asaj çka ofron qeverisja aktuale ku çdo shërbim shëndetësor jepet sipas mundësisë për të paguar, dhe asaj që ofrojnë socialistët me Rilindjen Shqiptare që është “secili sipas mundësive dhe shteti në shërbim të të gjithëve”.