Sot, nisi punimet Samiti i 25-të i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), i cili zhvillohet në Çikago, SHBA. Delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Berisha dhe nё përbërje të tij janë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes, zoti Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Përpara nisjes së punimeve të Samitit Kryeministri Berisha mori pjesë në pritjen zyrtare të kryetarëve tё shteteve dhe qeverive, nё McCormick Place, nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen dhe mikpritësi i Samitit Presidenti i SHBA-sё Barack Obama.
Mё pas, Kryeministri Berisha mori pjesё nё sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC). Para nisjes së tij, u përkujtuan me njё ceremoni ushtarake dhe një minutё heshtje ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës, gjatë operacioneve të Aleancës një prej të cilëve është edhe kapiten Feti Vogli. Mbledhja e NAC (Këshillit të Atlantikut të Veriut) u hap me fjalën e Sekretarit tё Përgjithshëm tё NATO-s Rasmussen dhe fjalёn pёrshёndetёse tё Presidentit Obama. Në takim morën fjalën një numër liderësh të vendeve anëtarë të Aleancës.
Në këtë sesion u diskutua për sfidat e sigurise globale me të cilat përballet Aleanca, nevojën për të zhvilluar dhe modernizuar kapacitetet mbrojtëse në kushtet e një krize financiare globale dhe të shkurtimit të buxheteve. Në takim u theksua nevoja për rritje të eficencës së përdorimit të burimeve nëpërmjet bashkimit të resurseve dhe menaxhimit të përbashkët te tyre. Në takim u diskutua në lidhje me zhvillimin e doktrinës së Mbrojtjes së Zgjuar, e cila është në qendër të modernizimit të NATO, si dhe sistemeve përkatëse, mbrojtjen nga rreziku i sulmeve balistike nëpërmjet vendosjes së një sistemi të përkohshëm të mbrojtjes raketore, si dhe bashkëpunimi me partnerët e Aleancës anembanë globit. Në këtë kuadër u miratuan një numër projektesh shumëkombëshe që do mundësojnë arritjen e objektivave për një NATO të vitit 2020 me forca të mirëkoordinuara, të trajnuara dhe mirëpajisura për të përballuar sfidat e shekullit XXI.
Në përfundim të sesionit, liderët e Aleancës miratuan disa nga dokumentet më të rëndësishme të Samitit.
Dita e parë e Samitit të 25 të NATO-s që po zhvillohet në Cikago u mbyll me darkën që Presidenti i SHBA Barak Obama kishte organizuar për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në Samit.