English

Presidenti i Republikës Bamir Topi viziton studentët e plagosur

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit dhe nga Drejtori i Spitalit, Bedri Miha vizitoi dje pasdite në “Dhomën e Observacionit Kirurgjik” dhe në Sallën e Operacionit” studentët e shumtë të plagosur si pasojë e aksidentit tragjik rrugor të një autobusi në Qafën e Vishës, në Himarë. Studentët e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Dega Letërsi, po transportohen me helikopterët e Forcave të Armatosura dhe po kurohen në Spitalin Ushtarak të Tiranës, prej nga Presidenti bëri thirrje për solidaritet njerëzor e për të ruajtuar qetësinë, duke siguruar që të gjitha strukturat e shtetit janë mobilizuar tërësisht dhe po punojnë për të përballuar këtë situatë të rëndë ku humbën jetën deri tani 14 vetë dhe u plagosën 26 pasagjerë të tjerë.

Në një prononcim të shkurtër për mediat e shumta të pranishme Kryetari i Shtetit, pasi vizitoi dhe u interesua për gjendjen e studentëve të plagosurve, theksoi: “Unë e kuptoj që kjo ngjarje është e rëndë dhe ju kërkoni me të drejtë që ta pasqyroni, por së pari juve unë do t’ju thoja: ‘Pak më me qetësi!’ Edhe unë do të prononcohem shumë shkurt, sepse duhet të lemë hapësirë dhe mundësi për të gjithë mjekët, të cilët janë më shumë se kurrë të organizuar, që të bëjnë punën e tyre. Unë e kam ndjekur që nga momenti i parë me një ankth prindëror, do të thoja, këtë që ka ndodhur, aksidentin e Himarës dhe për fat të keq, rezultoi më një bilanc shumë tragjik.

Në këtë moment, gjëja e parë që mund të thuhet është se ngushëllimet shkojnë për familjet e viktimave. Dhe e dyta, iu uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre që janë të plagosur, sepse ka edhe të plagosur rëndë! Ajo që është parë, të cilën e konstantoni edhe ju është që i gjithë shteti është në këmbë. Të gjithë janë të organizuar brenda mundësive të tyre maksimale dhe po bëhet e pamundura. Dhe kam besim që i gjithë shërbimi i kualifikuar i traumatologjisë dhe shërbimi i terapisë intensive do të bëjnë maksimumin e tyre. Më tepër se kaq…

Unë nuk mund të bëj koment se si është gjendja. Unë erdha për solidaritet njerëzor dhe për të dhënë një apel për të gjithë. Të gjithë jemi në pozicionet tona për ta ndjekur situatën. Ju falemnderit!”

* * *

Po dje pasdite, Zonja e Parë, Teuta Topi u interesua për gjendjen e të plagosurve, të cilët janë shtruar në Spitalin Ushtarak. Aty, Zonja Teuta Topi, e shoqëruar nga Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, Shyqyri Subashi, dhuroi gjak në “Qendrën e Transfuzionit të Gjakut” pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë për studentët e plagosur në aksidentin tragjik të Himarës.

KOMENTE