English

Shpirti i tyre të gjejë paqen e merituar, shprehet kryeministri Berisha nga Elbasani

Kryeministri Berisha menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit nga SHBA-ja ku ndodhej për të marrë pjesë në Samitin e 25-të të NATO-s, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha u drejtua për në qytetin e Elbasanit, për të qenë i pranishëm në zhvillimin e ceremonisë së organizuar në nderim të viktimave të shkaktuara nga aksidenti i djeshëm në Qafën e Vishës, në aksin Vlorë-Himarë.

Duke ndarë me të gjithë të pranishmit dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për këtë humbje tragjike, Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe dhe vendosi kurora me lule në mjediset e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, studente të së cilit ishin edhe vajzat që humbën jetën në aksidentin tragjik.

Kryeministri Berisha iu përcolli familjarëve, stafit pedagogjik, si dhe të rinjve e të rejave miq dhe bashkëmoshatarë të viktimave ngushëllimet më të sinqerta dhe lutjen për të gjetur forcë e kurajë për të përballuar këtë tragjedi të rëndë njerëzore.

Të pranishëm në homazhe ishin edhe kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, kryetari i bashkisë së Elbasanit, zoti Qazim Sejdini, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, drejtues të pushtetit vendor të Elbasanit, rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” deputetë, ministra të kabinetit, pedagogë, studentë, familjarë, të rinj e të reja, si dhe shumë qytetarë elbasanas.

Kryeministri Berisha la dhe një shënim në librat e ngushëllimit të hapur më këtë rast.

Më pas, përmes pikëllimit kryeministri Berisha u shpreh për mediat e pranishme:

“Familjarëve, studentëve, të gjithë qytetarëve të Elbasanit iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Ishte një tragjedi shumë e rëndë dhe zi e madhe, e cila kur je jashtë vendit të vjen dy here me e rëndë. Ndaj dhe u shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta, solidaritetin tim më njerëzor, të gjithë prindërve, familjareve të studenteve që u ndanë dje nga jeta, në njërin nga aksidentet më tragjike që Shqipëria ka njohur në shumë e shumë vite. U shpreh ngushëllimin studentëve, shoqeve dhe shokëve të tyre, stafit pedagogjik të universiteti të Elbasanit, qytetit dhe qytetarëve të Elbasanit, për këtë dramë të madhe që përjetuan dhe përjetojnë, të ndarjes nga jeta të vajzave të mrekullueshme të këtij universiteti, të cilat ishin nisur në një udhëtim për të shijuar bukuritë e vendit të tyre.

Uroj që shpirti i tyre të gjejë paqen e merituar. Uroj që familjarët, prindërit të gjejnë të gjithë forcën për të përballuar këtë dhimbje të tmerrshme dhe të rëndë. I lutem Zotit që të plagosurit të shërohen sa më shpejt, si dhe i garantoj që do të bëjmë gjithçka që plagët e tyre të mbyllen sa më parë.

Edhe njëherë ngushëllimet më të thella familjeve të këtyre vajzave të mrekullueshme!

KOMENTE