English

Forumi i 8-të vjetor rajonal për prokurimin publik në Tiranë

U organizua në Tiranë forumi i 8-të vjetor rajonal për prokurimin publik nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP) dhe Banka Botërore. Në forum u ftua edhe ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo.

Me rastin e tragjedisë së ndodhur ditën e djeshme në Himarë, Ministri Pollo në fillim të fjalës së tij u kërkoi gjithë të pranishmëve të mbanin një minutë heshtje, në nderim të jetëve të humbura në aksidentin tragjik.

Tema e forumit ishte “Prokurimi elektronik, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës” dhe gjatë fjalës së tij Ministri Pollo kujtoi se në vitin 2010 Shqipëria mori çmimin e dytë UN Public Service Award akorduar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për vlerësimin e ekselencës në shërbimin publik.

“Në vitin 2009, tha Ministri Pollo, Shqipëria u bë vendi i parë në botë që realizoi një sistem prokurimi elektronik të detyrueshëm për të gjitha prokurimet e sektorit publik mbi pragun e 3000 Eurove. Ky sistem ofron një administrim e përgatitje të sigurt e transparente të të gjithë dokumenteve të tenderit, duke evituar punën e panevojshme shkresore, si dhe duke siguruar të dhënat e gjithë procesit.”

“Që nisma rezultoi e suksesshme, vijoi Ministri Pollo, e tregon dhe fakti që nga norma e kursimit afro 7% që realizohej, me prokurimin konvencional, ne arritëm në normën e kursimit me 20% me Prokurimin Elektronik. Gjithashtu, mesatarja e numrit të operatorëve ekonomikë që marrin pjesë në tender është rritur nga 2 në 6 operatorë pjesëmarrës. Pra, një sërë barrierash ndaj korrektesës e incentiva për abuzim, madje edhe për rryshfetmarrje, u eliminuan.”

“Shqipëria, -tha gjithashtu ministri, - bashkë me të tjerë vende të rajonit e botës, është pjesëmarrëse në nismën Open Government Partnership dhe ka ndërmarrë disa angazhime konkrete në këtë kuadër. Ndër angazhimet e ndërmarra dhe që dëshiroj t’i ndaj me Ju është që në vitin 2012 APP do të aplikojë sistemin e koncesioneve elektronike, deri në fazën e hapjes së ofertave. Këtë vit APP do të implementojë në formë elektronike procedurën për blerje të vogla nën 3000 Euro, çeljen e sistemit e-ankandet, si dhe do të përfshihet në sistemin e INTEROPS-it ose të interoperabilitetit.”

“Këto angazhime të ndërmarra, në frymën e Open Government Partnership-it, do të mund të shërbejnë si shembuj për shumë vende, siç mund të përbëjnë shembull për Shqipërinë nisma në këtë kuadër, nga vendet që ju përfaqësoni, dhe që do të prezantohen edhe gjatë ditëve të këtij forumi” - përfundoi fjalën e tij ministri Pollo.

KOMENTE