English

Samiti i Çikagos ishte një sukses i vërtetë shprehet Berisha

Kryeministri Berisha informoi sot në mbledhjen e qeverisë lidhur me Samitin e 25-të të NATO-s, i cili u zhvillua në Çikago të SHBA-ve, nën drejtimin e Presidentit amerikan Barack Obama dhe Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen dhe me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive.

Duke folur mbi zhvillimet e këtij samiti, Kryeministri u shpreh:

“Në datën 20 dhe 21 maj, në Çikago , një nga qendrat më të rëndësishme të ekonomisë, zhvillimit në tërësi të ShBA-ve por edhe të botës u zhvillua samiti i Aleancës së Atlantikut. Ky ishte samitit i dytë ku Shqipëria merrte pjesë si një vend anëtar i NATO-s. Samitit u drejtua nga presidenti Barack Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut Anders Fogh Rasmussen.

Në Samit u diskutuan çështje madhore, si çështjet e aftësive të Aleancës në kushtet e krizës globale dhe mbrojtja inteligjente, u diskutuan dhe u vendos për mbrojtjen antiraketë. U diskutua gjerësisht mbi Afganistanin, dorëzimin nga ana e trupave të NATO-s të çështjeve të sigurisë, forcave afgane të sigurisë, brenda vitit 2014 dhe projekte për të mbështetur këtë vend në mënyrë të vendosur që të ndërtojë, të konsolidojë shoqërinë e lirë, ekonominë e tregut, sistemin demokratik.

Krahas pjesëmarrjes së të gjithë përfaqësuesve më të lartë të vendeve anëtare te NATO-s në një seancë të veçantë merrnin pjesë rreth 60 kryetarë shtetesh dhe drejtues institucionesh, që nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy. Pra në këtë seancë u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin e vendeve aleate e vendeve partnere në mbështetjeje të Afganistanit.

Samiti i i Çikagos ishte një sukses i vërtetë dhe aty spikati një përgatitje e shkëlqyer, një drejtim shumë kompetent dhe parapërgatitje e madhe. Mund të them se në të gjithë vendimet madhore dominoi tërësisht fryma e konsensusit. Dokumentet kryesorë të Samitit u miratuan me konsensus të plotë. Organizmi i samiti ishte i përsosur, mikpritja e presidenti Obama dhe qeverisë së tij ishte e shkëlqyer.

Gjatë qëndrimit në Samit në darkën e shtruar nga Presidenti Obama u diskutua gjerësisht mbi Afganistanin. Në këtë darkë mora fjalën dhe shpreha vendosmërinë e Shqipërisë për të mbështetur Aleancën dhe për të qëndruar në Afganistan për aq kohë sa Aleanca e Atlantikut të Veriut të qëndrojë në këtë vend dhe se Shqipëria do të jetë një nga ato vende, që në rast se lipset, edhe pas viti 2014 do të ketë prezencën e saj në ato forma që të jetë e përshtatshme dhe që do të kërkohet, qoftë në kuadrin e Aleancës, qoftë dhe ne bashkëpunim direkt me SHBA-të.

Në dokumentet e Samitit, ka një pasazh të tërë për rajonin, vlerësimet pozitive për zhvillimet në rajon, sikundër sanksionohet pasi vlerësohet dialogu i Kosovës me Serbinë, sanksionohet perspektiva e qartë euroatlantike e rajonit, dhe ky është një inkurajim i madh për të gjitha vendet e rajonit, të cilët aspirojnë të shohin veten e tyre anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në debatin e gjerë që u zhvillua për mbështetjen e Afganistanit mund të them se në këtë debat u shpreh gatishmëria e madhe për të ndihmuar këtë vend në të gjitha aspektet edhe pas vitit 2014.

Shqipëria ka marrë një angazhim për një ndihmë, të cilën ne do ta rrisim dhe do të përpiqemi që ndihma ndaj këtij vendi të jetë, jo vetëm në vlerën monetare prej 1 milion dollarësh nga viti 2014 e tutje, por përveç kësaj do të ketë ndihmë të tjera. Ministria e Arsimit duhet që të koordinojë me Ministrinë e arsimit të Afganistanit sjelljen e studentëve afganë për studime në Shqipëri. Ne jemi të gatshëm të akordojmë deri në 100 bursa në degë të ndryshëm të fakulteteve tona për këtë vend mik, si dhe zotimi ynë është gjithnjë në fuqi për ndërtimin e 8 shkollave të kategorive të ndryshme në këtë vend. Në rast se ne, për shkak të mungesës së infrastrukturës se e kemi të vështirë ta zbatojmë këtë vendim, ne duhet ti kërkojmë vendeve aleate dhe mike që në bashkëpunim me to të mund të përmbushim detyrimin tonë. Ministria e mbrojtjes duhet të shqyrtojë të gjithë mundësitë e ndihmës që ne i kemi dhënë përpara, por duhet të vazhdojmë ti japim këtij vendi mik në materiale ushtarake për të cilat ai ka nevojë.

Gjatë qëndrimit ishte një rast shumë i veçantë për tu takuar dhe shkëmbyer mendime me udhëheqësit e vendeve aleate dhe vendeve të tjera partnere, si me Presidentin Obama e Kancelaren Merkel. Një bisedë të përzemërt pata me presidentin Fransua Holande, i cili tregoi mjaft interes për zhvillimet në Shqipëri, me kryeministrin Cameron , me kryeministrin Monti, me presidentin Van Rompuy, me presidentin Barroso, me lider të rajoni dhe pothuaj të gjithë të pranishmit në këtë samit. Samiti kishte edhe një seancë tjetër me vendet partnere, të cilën u detyrova ta ndërpres për shkak të aksidentit që ndodhi, por në tërësi ai ishte një samit i një rëndësie shumë të madhe, i vendimeve me vlerë të veçantë për Aleancën, përshtatjen e saj në kushtet e kësaj krize dhe vendosmërinë e madh të vendeve anëtare për konsolidimin e mëtejshëm të Aleancës, për thellimin e mëtejshëm të proceseve integruese brenda Aleancës, të cilat do të lejojnë të realizohet mbrojtja inteligjente me shpenzimet më të pakta, por me një bashkërendim më të mirë të fondeve dhe burimeve që të arrihet një mbrojtje e sigurtë. Me sistemet e reja të radarëve dhe mbrojtjes antiraketë të garantohet një siguri e shkallës maksimale për hapësirën e Aleancës së Atlantikut të Veriut. U theksua se Aleanca mbetet e hapur për bashkëpunimin me Rusinë në këtë fushë, sikundër mbështetja për Afganistanin mendoj se ishte e niveleve më të larta se asnjëherë tjetër. Presidenti Obama theksoi në samit se ka një konsensus global mbi rëndësinë jetike për paqen dhe stabilitetin në botë, paqja, siguria dhe stabiliteti në Afganistan.

Pra, samiti i mbylli punimet me sukses të plotë dhe unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë presidenti Obama qeverisë së SHBA-ve, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Rassmussen dhe drejtuesve të tjerë të Aleancës në Bruksel, për organizimin e shkëlqyer, mikpritjen e përsosur dhe suksesin e madh të vërtetë të këtij Samiti.

KOMENTE