Sot, në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, mjedise pune për gazetarët e akredituar pranë Kuvendit si dhe rikonstruksioni i sallës të Komisionit për Çështjet Ligjore u përuruan nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth dhe Zv/Shefi i Misionit në Ambasadën gjermane, Erik Tintrup, në prani të deputetëve, të gazetarëve dhe të stafit të parlamentit.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi realizimin e këtij projekti si vijim i suksesshëm i bashkëpunimit që Kuvendi i Shqipërisë ka patur me prezencën e OSBE në zbatimin e një sërë projektesh të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të administratës, në fushën e infrastrukturës së IT, në dixhitalizimin e arkivës etj.
Në fjalën e tij, ambasadori Wollfarth u shpreh se “Kuvendi përbën një institucion kyç të demokracisë në Shqipëri. Gjatë 10 vjetëve të fundit, falë punës së madhe të lidershipit të Kuvendit, nga të gjitha palët politike, një progres madhor është bërë në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të parlamentarëve, stafit të Kuvendit dhe përmirësimit të infrastrukturës së tij. Dhe, në pothuajse në të gjitha demokracitë moderne, procesi i demokratizimit është rrallëherë, në mos asnjëherë, një ngjarje që ndodh vetëm një herë. Ai është më tepër një seri evolucionare reformash të ndryshme dhe një diskutim i hapur rreth politikave më të mira për t'u shërbyer më mirë njerëzve, dhe kështu sovrani i vërtetë i një vendi demokratik”
Lidhur me rikonstruksionin e sallës së Komisionit të Ligjeve, Kryetarja e e Kuvendit u shpreh se ky mjedis krijon kushte të përshtatshme për punën e deputetëve duke krijuar hapësirën e duhur edhe për të ftuarit e këtij komisioni në shqyrtimin e ligjeve siç janë grupet e ndryshme të interesit, shoqëria civile, përfaqësues të institucioneve por edhe medias.
Mjediset e punës për gazetarët përmbajnë një infrastrukturë të plotë në mbështetje të punës së medias elektronike dhe asaj të shtypit, duke mundësuar që gazetarët të informojnë në kohë reale dhe profesionalisht, publikun shqiptar, mbi veprimtarinë parlamentare. Kryetarja Jozefina Topalli i siguroi gazetarët se, Kuvendi do të vijojë të jetë institucioni i dyerve të hapura dhe se, transparenca me mediat është prioritet në axhendën e parlamentarizmit.
Ambasadori Wollfarth tha se “Salla e punës së medias do ta ndihmojë median që të ketë më lehtë akses në rezultatet e mbledhjeve të komisioneve dhe dokumenteve parlamentare. Kjo sallë do të jetë një vend i përshtatshëm, ku media mund të takohet dhe të diskutojë”.
Pranë Kuvendit të Shqipërisë janë të akredituar 326 gazetarë, redaktorë, drejtues të mediave elektronike, radio dhe televizioneve, gazetave, agjensive të shtypit, kameramanë dhe teknikë nga të gjithë mediat publike dhe private në Shqipëri.
Falë teknologjisë me standarte, gazetarët do të mundin të ndjekin dhe online punimet në sallë e komisioneve parlamentare për ta përcjellur më pas në redaksitë e mediave respektive.