Kryeministri Berisha priti sot në takim një grup kongresmenësh amerikanë, në përbërje të së cilit ndodheshin kongresmenet Robert Aderholt, Bob McEwen, etj, të cilët shoqëroheshin edhe nga përfaqësues të disa bizneseve dhe kompanive prestigjioze amerikane.
Pasi ju uroi përzemërsisht mirëseardhjen kryeministri Berisha iu shprehu miqve amerikanë mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe ndihmën bujare shumë të çmuar që ata personalisht, kongresi amerikan, senati, qeveria e SHBA-ve dhe taksapaguesit amerikane i kanë dhënë qeverisë shqiptare, Shqipërisë dhe kombit shqiptar gjatë gjithë kësaj periudhe, në të gjitha fushat.
Kongresmenet amerikanë e falënderuan kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe e siguruan atë se ndodhen sot në Shqipëri për të ripohuar mbështetjen e tyre të plotë ndaj qeverisë shqiptare dhe përpjekjeve të saj për të konsoliduar edhe më tej standardet demokratike në vend, por edhe për të dhënë një shenjë të qartë dhe një nxitje të re ndaj investitorëve të rëndësishëm dhe biznesit amerikan për të ardhur në Shqipëri dhe për të investuar, duke hapur vende të reja pune, duke shfrytëzuar klimën shumë të favorshme që qeveria shqiptare ka krijuar gjatë këtyre 7 viteve të fundit për biznes dhe investime në vend.
Në këtë kontekst, në takim u vlerësuan si fusha të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit dhe për investimet amerikane, sektori i energjisë, në veçanti ai i asaj të rinovueshme hidrike, eolike,solare, ai i mineraleve, ndërtimi i infrastrukturave turistike, sektori i turizmit bregdetar dhe ai malor, projekte të rëndësishme të qeverisë shqiptare në fushën e bujqësisë, në veçanti ai i arrorëve dhe pemëve frutore, sektori i arsimit, privatizimet e rëndësishme, por edhe projektet me objektiv personat me aftësi të kufizuar dhe ndihma e individëve në nevojë.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis të dy vendeve dhe qeverive, ndërkohë që Kryeministri Berisha i njohu miqtë amerikanë për takimin shumë miqësor që ai zhvilloi me Sekretaren e Shtetit Klinton duke i shprehur edhe njëherë mirënjohjen për mbështetjen e rikonfirmuar të SHBA-ve në të gjithë fushat e bashkëpunimit të suksesshëm dypalësh, por edhe në atë ndërkombëtare mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha informoi miqtë amerikanë për ecurinë e reformave në të gjitha fushat dhe për arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptarë gjatë kësaj periudhe, në veçanti në realizimin e infrastrukturave të rëndësishme, krijimin e klimës më të favorshme për biznes e investime, dixhitalimin dhe futjen e Shqipërisë në moshën e internetit, fushën e arsimit, shëndetësisë, dhe plotësimin e standardeve për të ecur përpara me shpejtësi drejt anëtarësimit në BE dhe për të merituar statusin e vendit kandidat.
Kongresmenet dhe miqtë amerikanë shprehën interes të veçantë për ecurinë e procesit të integrimit dhe i rikonfirmuan kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të tyre dhe të SHBA-ve për integrimin në BE. Gjithashtu, ata vlerësuan arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, si për sa i përket ndërtimit të infrastrukturave madhore me rëndësi kombëtare, si rruga Durrës-Kukës-Morinë, ashtu edhe reformave për përgatitjen e vendit për integrim në BE.