Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në një takim të veçantë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagland, i cili shoqërohej nga delegacioni zyrtar në kuadër të vizitës së punës në vendin tonë.
Pasi u uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe shprehu kënaqësinë e këtij takimi të rëndësishëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Presidenti Topi shprehu mirënjohje për mbështetjen e fuqishme që Këshilli i Evropës i ka dhënë vazhdimisht vendit tonë, që nga viti 1995, në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të forcimit të demokracisë e shtetit ligjor, sidomos aktualisht, gjatë procesit të realizimit të reformave dhe përmbushjes së kritereve të kërkuara integruese për në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit vlerësoi vendimin më të fundit të Këshillit të Evropës, të marrjes për herë të parë nga Shqipëria, deri në nëntor të këtij viti, të Presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, si “shembull konkret i besimit që shfaqin institucionet evropiane në drejtim të zhvillimit progresiv të vendit tonë në të gjitha fushat, në konsolidimin e institucioneve të tij dhe përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin dhe ngritjen në një nivel më të lartë të jetesës së qytetarëve shqiptarë” – u shpreh Presidenti Topi duke shtuar se vendi ynë do t’i përmbahet më së miri motos së presidencës së saj të radhës së KiE-së: “Të bashkuar në shumëllojshmëri”.
Pasi falënderoi për besimin e shprehur me këtë rast dhe siguroi për angazhimin maksimal të shtetit shqiptar në kryerjen me efikasitetin e duhur të kësaj detyre të rëndësishme, Presidenti Topi bëri një panoramë të përgjithshme të proceseve integruese në vend, të ecurisë së deritanishme të reformave elektorale dhe parlamentare, të luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, të heqjes së imunitetit për zyrtarët e lartë, gjyqtarët dhe prokurorët, konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe gjyqësorit, zgjidhjes së çështjes së pronave, etj, duke theksuar “rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve kushtetuese në çdo kohë, për funksionimin e duhur të shtetit të së drejtës dhe të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”.
Gjatë takimit, Presidenti Topi vuri në dukje rolin pozitiv e moderues të Shqipërisë me vendet e rajonit të Ballkanit, duke nënvizuar besimin në vijueshmërinë e ndjekjes së një politike efikase në drejtim të rritjes së bashkëpunimit, forcimit të marrëdhënieve me vendet fqinje, si dhe sigurimit afatgjatë të paqes dhe qëndrueshmërisë, jo vetëm në Ballkan, por dhe më gjerë.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagland, pasi falënderoi Presidentin Topi për pritjen e përzemërt dhe bisedën e frytshme, përgëzoi Presidentin Topi për rolin ekuilibrues dhe kushtetues, si garant i Kushtetutës dhe i ligjeve në fuqi, në zhvillimin e mëtejshëm demokratik të vendit dhe konsolidimin e institucioneve shqiptare.
Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës vlerësoi arritjet e Shqipërisë në vitet e fundit, si dhe punën intensive e vullnetin e institucioneve shtetërore shqiptare në kryerjen dhe përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, duke siguruar njëkohësisht se organizmi që ai drejton, do të japë mbështetje të mëtejshme për realizimin dhe përmbushjen e suksesshme të aspiratës integruese të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.