English

Presidenti Topi dekoron Pjetro Menea, legjendën botërore të Atletikës, me Medaljen e Mirënjohjes

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot pasdite një takim të përzemërt me rekordmenin evropian, ish-rekordmen i botës në Atletikë, dhe njëkohësisht me politikanin demokrat italian, anëtar i Parlamentit Evropian, Pjetro Menea, i cili ndodhet në vendin tonë, në kuadër të turneut ndërkombëtar të organizuar nga Federata Shqiptare e Atletikës. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës Italiane në Tiranë, Masimo Gaini dhe drejtues të Federatës Shqiptare të Atletikës.

Pasi falënderoi Kreun e Shtetit për pritjen e rezervuar, zoti Menea shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi dhe mirënjohjen e thellë “për nderimin dhe vlerësimin e lartë që po i bëhet nga vendi fqinj me Italinë, Shqipëria mike, nga instancat shtetërore të saj, sportdashësit e shumtë dhe atletët shqiptarë”. Me këtë rast, legjenda botërore e Atletikës, Menea vuri në dukje “angazhimin personal maksimal, jo vetëm për të dhënë të gjithë përvojën e duhur në drejtim të zhvillimit të sportit të bukur, por dhe të vështirë të atletikës, por dhe kontributin e rëndësishëm për shtimin e bashkëpunimit dypalësh të institucioneve sportive shqiptare me ato italiane”.

Presidenti Topi nga ana e tij, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të zhvillimit të sporteve të ndryshme në vendin tonë, duke i cilësuar shqiptarët si “popull sportdashës”, nënvizoi se “në kuadër të zhvillimit të marrëdhënieve të gjithanshme mes Shqipërisë dhe Italisë, janë po aq të rëndësishme edhe organizimi i takimeve dhe aktivitete të përbashkëta në sportin e atletikës, për të rritur mundësinë, që dhe Shqipëria të përfaqësohet dhe të nderohet me vlerësimet e niveleve evropiane, e pse jo botërore, edhe në këtë sport”.

Gjatë takimit Kreu i Shtetit shqiptar i dorëzoi rekordmenit evropian në Atletikë, ish-rekodrmenit botëror, të njohur edhe rolin aktiv si ish-anëtar i Parlamentit Evropian, politikanit demokrat italian, Pjetro Menea, “Medaljen e Mirënjohjes”, me motivacionin: “Për vlerat dhe kontributin e dhënë si ish Rekordmen i Botës në Atletikë dhe si ideator i fondacionit “Pietro Mennea”, i krijuar për të ndihmuar sportin dhe kërkimin shkencor.”

KOMENTE