English

Kryetarja e Kuvendit, pritje zyrtare në Pallatin e Brigadave me anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KiE

Në nderim të ngjarjes historike, drejtimit të Presidencës së Këshillit të Evropës nga vendi ynë, Kryetarja e Kuvendit organizoi një ceremonial pritjeje në Pallatin e Brigadave për anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KiE, të cilët zhvillojnë sot në Tiranë, takimin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Thorbjorn Jagland, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Jean Claude Mignon, deputetë të Kuvendit, ambasadorë dhe miq të tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit në përshëndetjen e saj, duke i uruar mirëseardhjen në vendin tonë , anëtarëve të KiE, deputetëve të Asamblesë parlamentare tha se, drejtimi i Presidencës së Këshillit të Evropës nga Shqipëria, është një ngjarje e jashtëzakonshme historike në 100 vjetorin e shtetit shqiptar.

Kryetarja e Kuvendit tha se, askush nuk mund të besonte se vendi më i izoluar në botë, pa asnjë të drejtë njerëzore, do të mund të udhëhiqte institucionin e vlerave të mëdha universale, të të drejtave të njeriut, Presidencën e Këshillit të Evropës. Kryetarja e Kuvendit i shprehu mirënjohje dhe falenderim të veçantë anëtarëve të KiE, për mbështetjen që kanë treguar ndaj demokracisë në Shqipëri.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Jean Claude Mignon, tha se "kurrë nuk e kishte menduar se një ditë do të mbaja këtë fjalim këtu në Shqipëri ,si President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës".

“Është e jashtëzakonshme se si Shqipëria është transformuar sot në një periudhe kaq të shkurtër”, u shpreh ai . Zoti Mignon inkurajoi klasën politike shqiptare për realizimin me sukses të përgjegjësive të kësaj detyre dhe sikurse u shpreh ai ” ti provoni të gjithë botës se ju keni bërë vërtet shumë, falë demokracisë së vërtetë”.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Thorbjorn Jagland, duke uruar shqiptarët për këtë ngjarje historike, shprehu bindjen se presidenca shqiptare do të jetë një presidencë shumë e suksesshme dhe me axhendë shumë të mirë që mbështetet në prioritetet e Këshillit të Europës.

KOMENTE