Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë dje paradite në ceremoninë e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, në kuadër të 20-vjetorit të misionit amerikan në vendin tonë, organizuar në tempullin e artit të qytetit të Elbasanit, në Teatrin “Skampa” ku u prit nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu.
Pas një takimi të shkurtër e të përzemërt më Kryebashkiakun Sejdini dhe Ambasadorin amerikan, Arvizu si dhe Drejtorin e Korpusit të Paqes, Hill Denham, Kreu i Shtetit ndoqi nga afër ceremoninë e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, e cila nisi me fjalën e zotit Denham. Pasi shprehu ngushëllimet për viktimat e aksidentit rrugor të Himarës, zoti Denham vuri në dukje se “misioni diplomatik i paqes dhe prosperitetit të Korpusit Amerikan të Paqes në Shqipëri, i cili filloi aktivitetin 20 vjet më parë, duke u bërë urë lidhëse e rëndësishme e komunikimit mes njerëzve e komuniteteve përmes vullnetarëve të tij, ofroi ndihmë me mësimin e gjuhës angleze në universitete, dhe më pas, me bashkërendim të aktiviteteve të tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare, USAID, organizata joqeveritare e shkolla, si dhe nëpërmjet projekteve të planifikimit urban, zhvillimit ekonomik, bujqësor e turistik, etj”.
Më pas, e mori fjalën Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili theksoi dhimbjen dhe tronditjen e thellë të qytetit të shkaktuar nga tragjedia e madhe dhe njerëzore e 21 majit në Himarë. Duke shprehur nderimin për viktimat, zoti Sejdini solli në vëmendjen e të pranishmëve edhe ngjarjen e rëndë të dy ditëve më parë të humbjes së jetës së studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ku, ndër të tjera shprehu angazhimin maksimal të institucionit që drejton, duke uruar që ngjarje të tilla tragjike të mos përsëriten më, por që qyteti i Elbasanit “të njohë vetëm perspektiva të reja pozitive me shpresën që ky aktivitet do të shërbejë si një gur themeli në të ardhmen e bashkëmoshatarëve të viktimave të tragjedisë së 21 majit”.
Ndërsa, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e gjithanshëm që ekziston midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “te reflektuar më së miri edhe gjatë misioneve të rëndësishme të ushtruara në Shqipëri nga vullnetarët e Korpusit të Paqes”, duke u shprehur i sigurt “në forcimin e klimës së bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve tona dhe në shkëmbimin e përvojave e eksperiencave të ndryshme në të mirë të komunitetit”. Menjëherë më pas, Ambasadori Arvizu çeli ceremoninë e betimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, dy prej të cilëve lexuan një përshendetje të sinqertë në shqip, duke shprehur mirënjohjen simbolikisht edhe në emër të të gjithë vullnetarëve që shërbejnë në vendin tonë.