English

Presidenti Topi dhe Atifete Jahjaga vizituan të plagosurat në spitalin ushtarak

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizituan sot pasdite studentet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të cilat, pas lëndimit në aksidentin rrugor të autobusit në Qafën e Vishës, në Himarë më datë 21 maj, po kurohen në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Pasi u interesuan nga afër për gjendjen shëndetësore dhe përkujdesjen mjekësore që po u rezervohet studenteve të shtruara në “Repartin e Kirurgjisë”, Kryetari i Shtetit shqiptar dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u prononcuan në prani të përfaqësuesve të mediave të shumta të pranishme.

Presidentja e Kosovës, Jahjaga: Shpreh ngushëllimet më të thella të popullit të Republikës së Kosovës, të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mbarë popullit të Kosovës dhe të miat, për familjarët e viktimave, për mbarë popullin e Shqipërisë dhe për ju, Presidenti Topi, për një ngjarje kaq të rëndë! Tash ndiejmë një dhimbje të madhe për këtë tragjedi kaq të rëndë dhe jemi me familjarët, jemi me të afërmit e tyre, me kurajon që të gjejnë forcën, që të gjejnë ngushëllimin, por duke mos harruar asnjëherë kujtimin e përjetshëm të të dashurve të tyre, për rininë e tyre dhe për ëndrrat e tyre.


Presidenti Topi:Unë dëshiroj të falenderoj nga zemra Presidenten Jahjaga, por edhe të gjitha autoritetet e shtetit të Kosovës për demonstrimin e asaj ndjeshmërie të lartë qysh nga momenti kur u mor vesh tragjedia! E falenderoj shumë edhe për vizitën e saj, që e realizuam së bashku në Spital!

Mund t’ju them që gjendja e vajzave, të cilat janë këtu në Spital është një gjendje shumë e përmirësuar. Ato, nga momenti në moment mund të jenë të gatshme edhe për ta lënë Spitalin, por kjo varet nga mjekët, sigurisht. Do të thoja që ky solidaritet është parë në Shqipëri, është parë në Kosovë, dhe sipas asaj që jemi informuar, edhe komuniteti shqiptar në Austri, ku ka shqiptarë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, ka treguar një solidaritet të lartë duke u qëndruar afër vajzave që janë atje, por edhe për t’u ofruar strehim dhe trajtim familjarëve. Kjo do të thotë që në situata të tilla ne jemi shumë të ndjeshëm, por jo vetëm në situata të dhimbshme, por në të gjitha situatat e tjera, Shqipërisë dhe Kosovës zemra u rreh me të njëjtin ritëm.

Edhe njëherë, unë ju falenderoj zonja Presidente për këtë ndjeshmëri dhe uroj që të takohemi vetëm në raste të gëzueshme! Ju falemnderit!”

KOMENTE