English

Alpinistët shqiptarë që arritën në majën Everest, përshëndeten nga kryeministri Berisha

Kryeministri Berisha, i cili vizitoi sot Budvën, për të marrë pjesë në takimin e Evropës Juglindore përcolli prej andej një urim të përzemërt për alpinistët shqiptarë, që u ngjitën në majën më të lartë të botës, Everest, duke valëvitur aty, flamurin shqiptar.

Duke e cilësuar këtë një arritje historike për sportin shqiptar në 100 vjetorin e pavarësisë, kryeministri Berisha i përgëzoi alpinistët për kurajën dhe shpirtin e garës, të cilat së bashku me aftësitë e tyre fizike dhe psikologjike, i bënë sportit shqiptar dhuratën më të bukur në këtë Jubile.

Kryeministri përshëndeti në mënyrë të veçantë 18 vjeçarin Mateo Begeja, i cili përfaqëson të rinjtë në grupin prej 6 alpinistësh, duke vlerësuar se ai bëri përfaqësimin më dinjitoz të rinisë shqiptare në këtë eveniment.

“Dëshiroj tu përcjell përshëndetjet më të përzemërta alpinistëve shqiptarë, të cilët me burrërinë, me aftësitë e tyre fizike, psikologjike shënuan një arritje historike për sportin shqiptar, për flamurin kombëtar, flamurin më të bukur të dheut, i cili valëvitet tani në majën e Everestit. Kjo është një arritje jo vetëm për sportin, por edhe për Shqipërinë. Kjo është dhurata më e bukur që sporti shqiptar i bën Shqipërisë në 100 vjetorin e saj.

Dua të përshëndes ekipin prej 6 vetash, të cilët kapën majën e Everestit në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Përshëndetje shumë të përzemërt do ti dërgoj atij që përfaqëson sot në atë ekip, rininë shqiptare, 18 vjeçarit Mateo Begeja, i cili duke bërë që flamuri ynë të valëvitet në majën e Everestit, i bëri rinisë shqiptare përfaqësimin më dinjitoz. Ngjitja në Malin e Everestit është një frymëzim për të gjithë ata që synojnë ngjitjen dhe lartësinë, por Mateo meriton dhe një përshëndetje të dytë, sepse është i dyti në botë që ndoqi të atin në majën e Everestit dhe për Everestin, kjo ishte një histori e veçantë", u shpreh kryeministri Berisha në përshëndetjen e tij.

KOMENTE