English

Politikat dhe çështjet Sociale në qarkun e Vlorës

Në fokus të tryezës së Programit për Çështjet Sociale në qarkun e Vlorës, e cila u organizua në Vlorë në datën 25 maj 2012, ishin modelet dhe praktikat më të mira të shërbimeve sociale, ofruar nga bashkëpunimi i frytshëm midis qeverisjes vendore dhe organizatave të shoqërisë civile. Diskutimet u përqendruan në këtë temë nisur edhe nga fakti që në Vlorë është krijuar një traditë pozitive në bashkëpunimin midis bashkisë dhe organizatave të shoqërisë civile për zgjerimin e tipologjive të shërbimeve sociale. Midis pjesëmarrësve kishte mjaft përfaqësues nga organizatat e përfituesve të shërbimeve sociale dhe grupet e interesit, shoqata e invalidëve të punës, shoqata e të verbërve, shoqata e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, sindikatat, përfaqësues nga qendrat dhe agjencitë e shërbimeve sociale në qarkun e Vlorës, përfaqësues nga donatorët e shërbimeve sociale, pedagogë dhe studentë të Universitetit “Ismail Qemali”, intelektualë dhe përfaqësues të spikatur të jetës publike dhe sociale në qytetin e Vlorës etj. Në tryezë mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, deputeti i qarkut të Vlorës dhe anëtar i Komisionit të Kuvendit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Eltar Deda, anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS nga qarku i Vlorës si edhe drejtues lokalë të PS në qark.

Prof. Kosta Barjaba, Kryetar i Grupit të Punës për Çështjet Sociale, paraqiti vizionin e Programit Socialist për Çështjet Sociale si edhe disa nga aspektet, objektivat dhe politikat kryesore të këtij Programi. Vizioni i Programit të PS për Çështjet Sociale mbështetet në konceptet dhe praktikat më të mira bashkëkohore, duke synuar realizimin e sinergjisë midis politikave të zhvillimit, politikave ekonomike, politikave fiskale dhe politikave sociale. Qëllimi i politikave sociale nuk është thjesht riparimi ose kurimi i pasojave të zhvillimeve dhe reformave ekonomike, por parandalimi i rënies së popullsisë në varfëri për shkak të zhvillimeve dhe lojës së ekonomisë së tregut. Qeverisja e djathtë pretendon se ndjek forcat e tregut. Por dora e padukshme e tregut është shndërruar në një grusht të padukshëm për njerëzit e thjeshtë. Qeverisja e djathtë, nënvizoi Barjaba, i ka deformuar forcat e tregut në emër të interesave të një pakice klienteliste dhe familjare. Ne, socialistët, nuk ndjekim verbërisht tregun, por punojmë dhe u përkushtohemi bindjeve tona për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët. Ne punojmë për demokratizimin e ekonomisë së tregut dhe krijimin e ekonomisë sociale të tregut, e cila u ofron mundësi punësimi, aksesi dhe shërbimesh të gjithëve. Politikat klienteliste të qeverisë nuk mund të mbulohen pas të ashtuquajturave politika populiste dhe masa sociale të saj, të cilat nuk janë veçse lëmosha e thërrime që nuk luftojnë varfërinë dhe nuk kanë asnjë ndikim në cilësinë e jetës së qytetarëve të Shqipërisë. Me këto politika qeveria po shpie drejt shkatërrimit skemën e pensioneve, duke lënë pas dore investimet për shërbime publike e sociale për pensionistët dhe qytetarët. Me këto politika qeveria po zbaton një Program të Ndihmës Ekonomike abuziv, elektoral, të politizuar dhe pa asnjë ndikim në uljen e varfërisë, por që e riprodhon atë. E vendosur në qëndrimet e saj antipopullore dhe antinjerëzore, qeveria nuk heziton të ndërmarrë edhe veprime haptazi brutale, siç ishte grabitja para pak kohësh e të drejtave ekonomike e sociale të personave me aftësi të kufizuara, nëpërmjet një pakete ligjore, të cilën socialistët do ta shfuqizojnë sapo të fitojnë shumicën dhe të vijnë në qeverisjen e vendit.

Koordinatori rajonal i Programit për Çështjet Sociale, Sejmen Gjokoli, bëri një pasqyrë të gjendjes ekonomike e sociale të popullsisë në qarkun e Vlorës, evidentoi disa nga treguesit e varfërisë, papunësisë dhe nevojave emergjente sociale të popullsisë si edhe përgjigjen që këto nevoja gjejnë në Programin e PS. Përfaqësuesit e shoqërisë civile, të organizatave dhe agjencive që ofrojnë shërbime sociale, përveç vlerësimit të Programit të PS si një program vizionar, realist dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, bënë edhe mjaft rekomandime e propozime për standardet e shërbimeve sociale, nxitjen e ndërmarrjeve dhe biznesit social, zbatimin krijues të politikave për arsimin dhe formimin profesional, lidhjen midis politikave të punësimit dhe politikave sociale, politikave sociale dhe të punësimit për rininë, rintegrimin e viktimave të trafikut të qenieve njerëzore, decentralizimin dhe depolitizimin e shërbimeve publike dhe sociale, shërbimet sociale të integruara në zonat rurale etj.

KOMENTE