Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot paradite ne konferencën informuese për ecurinë e reformës në Administratën Publike të vendit. Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri Ettore Sequi, Drejtoresha e Shërbimit Civil të vendit Blerta Selenica, drejtues të shërbimit civil të institucioneve të vendit, etj.
Kryeministri vlerësoi organizimin e kësaj konference nga ana e ministrisë së Brendshme dhe Përfaqësisë së Bashkimit Evropian në Shqipëri, konferencë në të cilën trajtohet një problem themelor i funksionimit të shtetit në tërësi. “Në këto 20 vite, Administrata Publike ka qenë faktor kryesor i të gjitha reformave të realizuara, reforma që kanë shënuar transformime epokale në këtë vend”, u shpreh Kryeministri.
Funksionimi i Shërbimit Civil, vijoi Kryeministri, është garanci për mbrojtjen e interesit publik, për një shërbim më të mirë, gjithnjë në përmirësim, ndaj qytetarëve, është kusht themelor për një qeverisje të mirë.
Ndërkohë, Kryeministri siguroi se qeveria po përgatitet për të hapur shkollën e Administratës Publike, shkollë e cila do të garantojë kualifikimin e vazhdueshëm të punonjësve të administratës.
Duke u ndalur në hapat e mëtejshëm në këtë drejtim, Kryeministri Berisha u shpreh se kalimi i ligjit të Gjykatës Administrative dhe vendosja e sistemit të Gjykatës Administrative, projekt -kodi i ri për Procedurat Administrative dhe projektligji për organizimin dhe funksionimin e Administratës Publike, janë tre zhvillime të tjera madhore që do të ndihmojnë në konsolidimin e mëtejshëm të Shërbimit Civil në Shqipëri. “Dua t’ju siguroj që të bëjmë gjithçka që të bashkëpunojmë me opozitën, në mënyrë që këto ligje shumë të rëndësishme për funksionimin më të mirë të administratës publike në tërësi dhe shërbimit civil në veçanti, konsolidimin dhe përsosjen e punës së tyre, të votohen sa më shpejt në parlament dhe të hyjnë në fuqi sa më shpejt”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri Berisha siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka që në Shqipëri të mbetet një administratë e vogël dhe një qeveri e vogël.