English

Javët e arkitekturës botërore në Tiranë, një shans i madh për qytetarët

Muajt shtator dhe tetor do të sjellin në Tiranë arkitektët më në zë të botës, organizuar nga Universiteti “Polis” dhe Bashkia e Tiranës. Gjatë këtyre dy muajve, Tirana do të jetë qendra e prezantimit të projekteve më të avancuara të arkitekturës, artit dhe design-it (dizainit), të cilat do të jenë një kontribut i madh, në design-in (dizainin) e një sërë projektesh të rëndësishme që parashikohen të implementohen në Tiranë, nga Bashkia e Tiranës por edhe kompani private. Zoti Basha i ka konsideruar “Javët e Arkitekturës”, si një shans të madh për qytetin dhe qytetetarët e Tiranës.

“Ne do të shikojmë që të evidentojmë vlerat më të mira të arkitekturës europiane dhe botërore në qytet, të mundësojmë që këto vlera të mos largohen bashkë me përfundimin e javëve te arkitekturës, por të qëndrojnë në qytetin tonë dhe të bëhen pjesë e planeve të mëdha të zhvillimit të qytetit tonë, duke përfshirë këtu edhe projektet strategjike, njërin prej të cilëve kemi filluar ta përparësojmë me BERZH, atë të ndërtimit të Terminalit të ri Multimodal të Pasagjerëve” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka nënvizuar potencialet, energjinë dhe frymëzimin e madh që mbart qyteti, për arkitektë dhe studio arkitekturore, ndër më të mirat në botë, gjë që u dëshmua edhe në konkursin për Bulevardin dhe lumin e Tiranës. Zoti Basha theksoi se planifikimi i mirë është garanci për një zhvillim të qëndrueshëm, jo vetëm për sot por për brezat që do të vijnë.

“Ne jemi në një proces të ethshëm planifikimi dhe riplanifikimi të zhvillimit të qytetit tonë. Të gjithë jeni dëshmitarë se si, pas një procesi jo të shkurtër por të frytshëm, pas një pjesëmarrje dinjitoze të shtatë prej studiove më të mira arkitekturore në botë, ne arritëm të përzgjedhim “Grimshaë Architects”, për një projekt strategjik për Tiranën, rimodelimin e hapësirës së 1/5 të Tiranës, nëpërmjet asaj që njihet si konkursi i Bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës, i cili ne fakt eshte një model i ri qytetërimi, që ne duam të zhvillojmë në një të pestën më të pazhvilluar të qytetit. Po kështu, javën e kaluar shpallëm publikisht draftin e Planit Urbanistik, i cili është produkt i një pune voluminoze, gjithpërfshirëse të ekspertëve më të mirë të Universiteteve publike dhe jo publike dhe ekspertëve të tjerë të shoqërisë civile, në bashkëpunim me departamentet përgjegjëse në Bashkinë e Tiranës.

Kam dëgjuar përveç vlerësimeve këtë javë, edhe shprehjen “boll më me plane, të fillojmë zbatimin”. Edhe unë jam po kaq i paduruar që të fillojë zbatimi por të mos harrojmë se çdo zbatim i mirë fillon me një plan të mirë dhe ka qenë pikërisht mungesa e planeve të mira, që na ka çuar nëpërmjet zhvillimit “kuturu”, të paplanifikuar, në situata të pamenaxhuara, të pamenaxhueshme dhe me probleme të mëdha për qytetin sot dhe që do të kërkojnë vite dhe dekada për t’u ndrequr në të ardhmen, ndaj planifikimi i mirë është gjysma e punës si dhe garancia, që qytetin do ta ndërtojmë jo për sot, as për dje por për brezat e ardhshëm, në mënyrë të qëndrueshme” - theksoi z.Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës garantoi për mbështetjen e plotë të javëve të arkitekturës në Tiranë, ku garancia më e mirë për suksesin e këtij eventi ndërkombëtar është niveli i lartë profesional i pjesëmarrësve në “Javët e Arkitekturës”.

KOMENTE