English

Ligji fiskal ndryshon për herë të 68-të

Nëse zëri i opozitës në vitin 2009, për ti dhënë vendit një qeverisje legjitime dhe jo një qeverisje të dalë nga votat e vjedhura, do dëgjohej, vendi ynë sot do ishte më pranë marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE.
Nëse zëri i opozitës për ti paraprirë situatës ekonomike me një paketë antikrizë, do dëgjohej atëherë, sot ekonomia jonë do të ishte më e shëndetshme dhe jo në prag falimentimi. Duke u nisur nga të dhënat tuaja ekonomike, të 7 viteve, si vitin më të suksesshëm 2008, rritja ekonomike e vendit tonë u përgjysmua, ndërkohë që të dhënat e tremujorit të parë të 2012 tregojnë se rritja ekonomike e Shqipërisë është zero.
Nëse zëri i opozitës do dëgjohej atëherë kur ne propozonim masa, për të luftuar korrupsionin me mekanizma ligjorë dhe duke ndërtuar institucione të forta demokratike, shkalla e korrupsionit që ka mbërthyer çdo qelizë të shoqërisë shqiptarë, nuk do ishte në nivele kaq të larta.

Nëse zëri i opozitës do dëgjohej atëherë, kur ne propozonim, masa për uljen e borxhit, borxhi publik, nuk do të ishte rritur në mënyrë alarmante dhe është sot 60% e GDP. Në 7 vitet e fundit, qeveria e juaj, e ka rritur borxhin publik me 3 miliard dollarë. Çdo fëmijë që lind në Shqipëri mban mbi supe një borxh prej 2800 dollarësh. Shërbimi i borxhit përbën sot një nga shpenzimet kryesore të qeverisë: mbi 4% të GDP - së, më shumë se buxheti për arsimin, shëndetësinë apo bujqësinë.

Nëse zëri i opozitës do dëgjohej atëherë, kur propozonim një balancim të barrës së taksave midis të gjitha shtresave të shoqërisë, për heqjen e TVSH, të disa prej produkteve kryesore, për rritjen e punësimit etj, sot nuk do kishim këtë disnivel kaq të lartë midis shtresave, këtë nivel të lartë papunësie, këtë shkallë të lartë varfërie.
Rritja e barrës fiskale mbi bizneset nga ana e juaj nuk mund të linte pa prekur edhe sektorin e shëndetësisë. Vendosja e TVSH-së, 10% mbi barnat si edhe 20% mbi shërbimet shëndetësore, është në kontrast me atë se çfarë duhet të prisnim, në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit shëndetësor ndaj qytetarit. Po kështu vendosja nen vëzhgimin e akcizës, edhe të disa materialeve që përdoren në ambalazhimin e medikamenteve, nuk kishte se si të mos përkthehej në rritje të çmimeve të tyre dhe si rrjedhojë në kosto ndaj xhepave të qytetarëve. Sigurisht që për ju nuk kanë rëndësi këto, as rritjet e çmimeve dhe as kostot që paguajnë qytetarët, qoftë dhe në interes të rregullimit të tregut farmaceutik. Për ju e rëndësishme është funksionimi i skemës korruptive në tërë piramidën qeverisëse nëpërmjet krijimit të monopoleve në interes të grosistëve klientelistë për medikamente të veçanta.

Ligji i fundit për akcizën dhe ai për procedurat tatimore, thellojnë problematikën edhe në shëndetësi, kur kostot e shumë operacioneve varen ndjeshëm edhe nga disa kategori të mallrave të akcizës, sidomos ato të lidhura me energjinë. Çmimet e mjaft produkteve bujqësore shpesh lëndë të para për farmaceutikën apo metodat omeopatike të mjekimit do të rriten akoma më tej dhe kjo do të bëjë më të vështirë mjekimin e pacientëve me vend. Jo vetëm kaq, por vendosja e garancisë për akcizën ndaj kategorive subjekt të saj të lidhura me etero vajoret dhe bimët medicinal, apo me të tjera bimë në shërbim të mjekësisë subjekt i akcizës, do të bëjnë të vështirë grumbullimin e tyre dhe njëkohësisht do të rrisin çmimet e shërbimeve farmaceutike dhe të mjekimit popullor. Një analizë e tillë lidhur me efektet e këtyre ndryshimeve të cilat tregojnë edhe një herë dështimin e shtetit përballë korrupsionit dhe pamundësinë e tij për të kontrolluar tregun dhe tatimet, as që nuk është bërë. Grupet e interesit që preken dhe që këtë herë janë shumë të gjëra as që nuk janë konsultuar. Ndryshime të tilla kanë vetëm një drejtim, financimin e çmendurisë së shtetit të falimentuar të Sali Berishës dhe krijimin e sado pak frymëmarrje për këtë qeveri që ka humbur ndjesinë ndaj funksioneve të saj bazë, duke punuar tashmë në dëm edhe të shtresave më të varfra të shoqërisë duke iu rënduar atyre në mënyrë monstruoze efektet e kësaj krize që tashmë është ulur këmbëkryq në sofrat e shqiptarëve.

Ndaj kërkesa e jonë për përjashtimin e sektorit të shëndetësisë nga TVSH-ja, për barnat dhe shërbimet shëndetësore, është e domosdoshme, në mënyrë të tillë që mos të rritet kosto në kurriz të qytetarëve.
E dini çfarë ndodhi kur ju vendosët TVSH-në për barnat dhe shërbimet shëndetësore? Jo vetëm që cilësia e shërbimit shëndetësor ndaj qytetarit, nuk u rrit, por është rritur shkalla e lartë e papërgjegjshmërisë dhe e korrupsionit në nivelet drejtuese të institucioneve. Aq e vërtetë është kjo, sa që edhe ato pak financa që qeveria denjon ti dërgojë në këtë sektor, drejtuesi i institucionit më të lartë spitalor në vendin tonë, QSUT, shkon dhe në vend ti delegojë për të përmirësuar infrastrukturën e degdisur si mos me keq, për të siguruar pajisjen me medikamentet e nevojshme, paguan një kompani të rrethit të tij, për të vendosur kamera përgjuese, për personelin mjekësor gjatë gjithë orarit të punës, si edhe për të pasur bodigard për ruajtjen e tij fizike. Kjo është reforma e juaj fiskale? Nga njëra anë njeriu lufton me jetën, por pa pasur asnjë ndihmë të shtetit, ju shkoni dhe i bëni financat për këtë shërbim kaq të rëndësishëm për jetën e njerëzve, rrush e kumbulla.

Sigurisht me propozimet tona të kahershme, kemi bërë detyrën tonë si opozitë, dhe ju sigurojmë se do ta bëjmë akoma më mirë kur ne të qeverisim këtë vend. Por sot, ne po ballafaqohemi me një situatë të paralajmëruar nga ne si opozitë dhe po kaq dëshpërues është fakti, që asnjë nga ju në qeverisje nuk ka dashur të dëgjojë dhe të vlerësojë propozimet tona. Përse kërkohet sot nga qeveria për të 68 herë që nga 2005, të bëhen ndryshime në ligjin për paketën fiskale, kur ne sapo kemi filluar të zbatojmë buxhetin e këtij viti? Argumentet janë dashakeqës. Ose parashikimi juaj atëherë ka qenë i pabazuar në këtë realitet ekonomik dhe megalomania juaj ju çoi në parashikimin e këtyre shifrave butaforike, ose ju po tregoni nga muaji në muaj, se keni dështuar në mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore, për shkak të performancës së dobët të administratave respektive të politizuara nga ana juaj. Ose më e keqja, nëse këto ndryshime bëhen për arsye klienteliste për favorizime të bizneseve të veçanta, atëherë situata është akoma më e zymtë.

Por çfarë kanë sjellë këto ndryshime të shpeshta në ligjin për paketën fiskale? Është e pamundur që të gjesh ndonjë vit, në të cilin nuk është ndërhyrë në paketën fiskale, apo qeveria të mos këtë futur lloj-lloj vendimesh apo udhëzimesh të cilat nuk bëjnë gjë tjetër, veçse e çorodisin ambientin e biznesit, por dhe vetë administratën shtetërore. Edhe administrata fiskale, pa e mësuar mirë rregullin e parë, apo pa e vënë ende në veprim, qeveria apo ministri, ka miratuar e vënë në veprim një tjetër rregull. E vështirë bëhet kjo njohje për biznesin, i cili në vend që të ndjekë punët e tij, për përballimin e vështirësive që ka, duhet të ndjekë ritmin e ndryshimeve vend e pa vend të ligjeve fiskale, apo ndryshimet akoma më të shpeshta që sjellin vendimet e qeverisë, udhëzimet e Ministrit të Financave dhe më tej. Tashmë ekonomistët nëpër kompani, nuk po paguhen për të ndjekur ecurinë ekonomike të kompanive, por për të qenë në gatishmëri për të marrë vesh, se cili ishte ndryshimi i radhës që kërkon administrata tatimore, se ndryshe gjobat të ndjekin nga pas, po nuk ndoqe këtë ritëm ndryshimesh. Dhe ky nuk është një ritëm i lartë rritje ekonomike, por një ritëm i lartë i pasigurisë së atyre që i shkruajnë këto ligje e vendime. Madje në disa raste, as ata që i shkruajnë, nuk e mbajnë mend se kush është udhëzimi i fundit në fuqi. Për këtë vlen të përmendet fakti i bërë publik së fundmi nga vetë organizmat e sipërmarrësve se 99.8 % e bizneseve të anketuara deklarojnë se paguajnë ryshfet për të bërë biznes.

Pretendimi i Sali Berishës, se ka ulur taksat në mënyrë drastike, rezulton të jetë edhe gënjeshtra më e madhe. Taksa e sheshtë ka zhytur në varfëri edhe më të thellë shtresën e varfër, ndërkohë që ka mbytur shtresën e mesme. Në vitin 2005, të punësuarit paguanin 2-3% taksë mbi të ardhurat, sot paguajnë plot 10%. Mësuesit paguajnë 10 herë më shumë taksë së shtatë vjet më parë, ndërkohë që infermieret paguajnë plot 30 herë më shumë taksë krahasuar me vitin 2005. 7 vjet më parë, një shqiptar me një pagë mesatare i detyrohej shtetit 14% të rrogës, ndërkohë sot i detyrohet qeverisë së Sali Berishës 21% të rrogës, pra dy herë më shumë. Programi i Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare është shumë i qartë edhe në raport me politikën fiskale.

Grupi Parlamentar Socialist ka depozituar në Kuvend një sërë nismash që kanë të bëjnë me uljen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë që konsumohen në mënyrë të përditshme nga familjet shqiptare, si edhe heqjen për medikamentet dhe energjinë. Të gjitha nismat e Partisë Socialiste, për ulje reale taksash që lehtësojnë realisht jetesën e shtresës së varfër dhe të mesme, janë refuzuar nga qeveria juaj. Partia Socialiste është për një taksim të ndershëm, jo një taksë të sheshtë. Filozofia jonë e taksimit është e thjeshtë: kush fiton më pak, do të paguajë më pak. Falë taksimit të ndershëm, ne do të ulim taksat për të varfëritë, do të mbrojmë shtresën e mesme dhe do të eliminojmë taksën e fshehtë të korrupsionit, referencave dhe të burokracisë. Si rezultat i taksimit të ndershëm, 95% e shqiptarëve do të taksohen më pak.

Për të gjitha këto, ne jemi mosbesues në këto ndryshime në dy projekt/ligje. Sepse edhe në këto pak muaj qeverisje që ju ka ngelur, ju nuk do të luftoni të forconi ekonominë, të ndihmoni biznesin, me qëllim rritjen e fitimit dhe të punësimit, uljes së varfërisë, por do të vazhdoni të shtoni mënyrat për të mbushur xhepat tuaj dhe të rrisni normën tuaj të fitimit klientelist. Kolegë të mazhorancës, misioni juaj për të qeverisur vendin ka përfunduar. Por është po kaq e vërtetë se dhe përpjekja juaj e fundit për të mbajtur në këmbë oborrin e lodhur kryeministror, si shpresën e vetme, është venitur. Misionit të Kryeministrit tuaj si “fener ndriçues” për vendin, po i shuhet dhe flaka e fundit e kandilit. Një shpresë e re dhe rilindje e re po lind për shqiptarët. Kjo është PS dhe gjithë progresistët e këtij vendi.

KOMENTE