Kryetari i Grupit të PS, Gramoz Ruçi dhe nënkryetari i deputetëve Saimir Tahiri ka zhvilluar takimin me homologun e tij nga pala tjetër. Ka zgjatur vetëm 20 minuta takimi mes krerëve të dy grupeve parlamentare Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi. Në një prononcim për mediat pas takimit, kreu i grupit socialist Ruçi e ka cilësuar kandidaturën e Xhezair Zaganjorit si të njëanshme.
Ruçi është shprehur për mediat se pala tjetër thjesht ka bërë një monolog në një kohë kur PS dhe i gjithë opinioni prisnin një dialog. Madje Ruçi e quajti takimin e sotëm jo si një takim për t’u negociuar, por thjesht si një takim njohjeje me një kandidat të njëanshëm: “Maxhoranca e ka vendosur kandidatin për President në mënyrë të njëanshme. Ishim në pritje të një përgjigje të kërkesës sonë të bërë në tryezën e parë në mënyrë që t’i jepnin zgjidhje 4 çështjeve, sot, në këtë takim i cili nuk ishte për të negociuar, por për t’u njohur me një kandidat të njëanshëm. PD nuk bëri dialog me konsensus, por monolog me aleatët e saj. Ende shpresojmë për gjetjen e një kandidati konsensual për President. Shpresoj ende t’i japim vendit një President konsensual.”
Ruçi është shprehur optimist para mediave për gjetjen e një kandidature që merr konsensusin e të gjitha palëve parlamentare.