English

Tatim-fitimi nga 13 pagesa, do të bëhet në 5 pagesa

Këshilli i Ministrave miratoi sot, ndryshimin në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, që mundëson kryerjen e pagesës së tatim-fitimit nga 13 pagesa aktualisht gjatë vitit, në 5 pagesa. Drafti u prezantua nga Kryeministri Berisha, të cilin e cilësoi të dobishëm dhe të domosdoshëm për biznesin, pasi “thjeshton në mënyrën të ndjeshme barrën burokratike”.

Kryeministri Berisha tha se ky projektligj është një ndër masat që qeveria synon për të lehtësuar më tej barrën burokratike mbi biznesin dhe nxitjen e stimulimin e veprimtarisë së tij. “Qeveria - tha Kryeministri - po përgatit dhe do të shqyrtojë me hollësi një paketë të re të nxitjes së rritjes ekonomike dhe unë ju garantoj se ajo paketë dhe rritja ekonomike ka si alfën dhe omegën, lehtësimin, mbështetjen dhe nxitjen e biznesit.”

Kryeministri garantoi për konsolidimin e modelit të ekonomisë shqiptare, i bazuar në standardet më liberale, uljen e barrës fiskale, thjeshtimin e barrës burokratike dhe krijimin e kushteve për një konkurrencë të ndershme, ndërsa e konsideroi në “kundërrymë” me qëndrimet e institucioneve financiare botërore që “kërkojnë nxitje të rritjes”, propozimet për taksën progresive. Falë këtij modeli, theksoi Kryeministri, ekonomia shqiptare, i rezistoi krizën më të vështirë në Europë e më gjerë dhe dëshmoi performancën më të mirë ndër vendet e rajonit.

“Kriza është dhe do të mbetet afatgjatë. Shqipëria - pohoi Kryeministri - ka të gjitha mundësitë e potencialet që jo vetëm të shmangë recesionin, por të garantojë rritje progresive, me modelin e saj. Natyrisht, kjo kërkon nga ne që të bëjmë gjithçka, për të nxitur, inkurajuar, lehtësuar biznesin dhe veprimtarinë e tij.”

Kryeministri Berisha u kërkoi ministrave të shqyrtojnë çdo procedure dhe mundësi për të lehtësuar, nxitur biznesin, për të inkurajuar partneritetin publik-privat, si një levë e fuqishme e shumëfishimit të financimeve dhe fondeve, në interes publik e privat.

KOMENTE