Kryeministri Berisha priti sot, në takim, ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, zotin David Cohen, i cili shoqërohej nga Zëvendësdrejtorja e Përgjithshme për Euro-Azinë dhe Ballkanin pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, zonja Anna Azari.
Ambasadori Cohen, pasi i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit Netanyahu dhe Ministrit të Jashtëm Lieberman, i komunikoi në emër të Kryeministrit Netanyahu dhe ministrit Lieberman, vendimin e qeverisë izraelite për të shndërruar përfaqësimin e saj në Shqipëri në një ambasadë me rezidencë të përhershme në Tiranë, çka do të shënojë një hap të ri cilësor në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe nxitjen e bashkëpunimit në fushën ekonomike e tregtare, politike e të gjithanshëm, në interesin më të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.
Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë lajm, si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësinë mes dy vendeve e kombeve.
Kryeministri Berisha i përcolli Kryeministrit Netanyahu dhe ministrit Lieberman falënderimet e përzemërta të qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë dhe urimet më të mira për sukses në mision e rëndësishëm të ambasadës, tashmë rezidente në Tiranë, për të forcuar më tej lidhjet e shumta miqësore mes dy vendeve e kombeve dhe nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm, në dobi të interesit të të dy vendeve.
Në takim u vlerësua fakti që tashmë ekziston një interes në rritje i investitorëve izraelitë për të ardhur në Shqipëri dhe për të përfituar nga klima gjithnjë e më e favorshme që ka krijuar qeveria shqiptare për biznes e investime. Në takim u konfirmua vullneti i dyja palëve për të rritur investimet reciproke, që do t’i shërbejnë rritjes së shkëmbimeve tregtare, por edhe nxitjes së krijimit të vendeve të punës.