Në bazë të një sërë kontrollesh dhe inspektimesh nga Ministria e Drejtësisë, ajo ka marrë masa ndëshkimore për disa profesione që kanë të bëjnë me drejtësinë duke u hequr liçensën apo dhe gjoba personave që ushtrojnë këto profesione si përmbarues, gjyqtarë, juristë, noterë.
Më poshtë do të gjeni dhe emrat e tyre përkatës.
Përmbaruesit gjyqësorë privatë
Pas fillimit të procedimit disiplinor për 7 përmbarues gjyqësorë privatë bazuar në rezultatet e inspektimit tematik për verifikimin e ankesave mbi procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm, Ministria e Drejtësisë përpunoi aktet e verifikuara nga Komisioni Disiplinor për Përmbaruesit Gjyqësorë Privatë.
Në përfundim të kësaj procedure administrative, Ministri i Drejtësisë vendosi dhënien e 7 masave disiplinore “gjobë” ndaj 7 përmbaruesve gjyqësorë privatë, që ushtrojnë detyrën e tyre në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
1. Julian Ahmeti (Shoqëria përmbarimore “E.P.S.A” )
2. Gelas Yzo (Shoqëria përmbarimore “E.P.S.A”)
3. Arben Meskuti (Shoqëria përmbarimore “Z.I.G”)
4. Arben Matani
5. Gentian Strati
6. Luan Hoti (Shoqëria përmbarimore “Hoti Bailiff Service”)
7. Halit Cani
Masa e gjobës varion nga shuma 30 mijë lekë gjer në 50 mijë lekë dhe është caktuar në raport me shkeljet e evidentuara. Ministri i Drejtësisë ka vlerësuar se lloji i masave të caktuara do të të japë efekte edhe në rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të të gjithë sistemit të përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe përmirësimin e respektimit të të drejtave dhe interesave të ligjshëm të palëve në proces ekzekutimi.
Gjithashtu, në caktimin e masës konkrete është mbajtur në konsideratë fakti që sistemi i përmbarimit gjyqësor privat është në fillimet e veta dhe rrjedhimisht dhënia e masave ekstreme ndaj përmbaruesve mund të dobësojë këtë sistem.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka inspektuar 45 zyra të përmbarimit gjyqësor privat për mënyrën se si përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve. Pas përgatitjes së raportit të inspektimit, i ka kërkuar Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Gjyqësorë Privatë shqyrtimin e shkeljeve disiplinore për 14 përmbarues gjyqësorë privatë.
Noterët
Në mbështetje të rezultateve të inspektimit të 7 zyrave noteriale me anë të katër inspektimeve në dhomat e noterisë Tiranë, Korçë, Shkodër, Laç dhe Durrës u zhvilluan procedurat administrative të njoftimit të subjekteve të interesuara dhe të Dhomave Noteriale. Në përfundim, Ministri i Drejtësisë ka vendosur heqjen e liçencave për 2 noterë të njësive vendore Lezhë dhe Devoll,
1- Notere Zana Dema
2- Notere Alketa Mullai
Ministri i Drejtesise ka dhënë vërejtje me paralajmërim për 3 noterë të njësive vendore Tiranë dhe Durrës dhe konkretisht:
1- Noter Robert Koli
2- Notere Shpresa Gjoci
3- Noter Islam Hysolli
Janë ende në proces rezultatet e 4 inspektimeve të tjera, midis të cilave inspektimi i fundit ka patur si objekt verifikimin e kushteve të zyrave të noterëve për zbatimin e reformës One Stop Shop në tjetërsimin e pasurive të paluajtshme.
Administrata Gjyqësore
Në kuadër të kryerjes së kontrolleve pranë administratës gjyqësore, Ministria e Drejtësisë ka kryer inspektimin e veprimtarisë së kancelarit të në Gjykatën e Apelit Vlorë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës. Në bazë të këtyre inspektimeve, janë konstatuar se mospërmbushje të detyrës së kryer nga ana e kancelarëve të parashikuar sipas ligjit nr. 9877/2008 , “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë ”, sa i përket mbikëqyrjes së sekretarive gjyqësore në administrimin, ndjekjen dhe rregullshmërinë e veprimeve procedural mbi ecurinë e dorëzimit të dosjeve gjyqësore të përfunduara në sekretarinë gjyqësore, në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligj. Në përfundim të këtyre kontrolleve, pas vlerësimit të raporteve përkatëse, Ministri i Drejtësisë ka disponuar dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për të tre kancelarët e gjykatave të inspektuara.
Gjyqtarët
Ministria e Drejtësisë mbetet në pritje të shqyrtimit të kërkesave për procedimin disiplinor të depozituara pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.