Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim me Grupin Parlamentar për Marrëdhëniet e Gjermanisë me shtetet e Evropës Juglindore të kryesuar nga Peter Vajs dhe anëtarët Kristel Apah-Kasan dhe Andreas Lamel, të cilët po zhvillojnë një vizitë informuese në Ballkanin Perëndimor: në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë takim ishte e pranishme Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Karola Myler-Holtkemper.
Kreu i Shtetit bëri një përshkrim të detajuar të zhvillimeve e të reformave të ndërmarra në Shqipëri, në drejtim të forcimit të demokracisë e shtetit ligjor, sidomos aktualisht, gjatë procesit të përmbushjes së kritereve të kërkuara integruese për në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, Presidenti Topi theksoi se “një rol kyç gjatë gjithë këtij procesi luan edhe institucioni legjislativ dhe veprimtaria e tij parlamentare, sidomos aktualisht gjatë synimeve për realizimin e reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent për t’i dhënë vendit garantuesin e ekuilibrave dhe të pavrësisë së institucioneve kushtetuese”.
Në vlerësim të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, Kryetari i Shtetit vuri në pah rëndësinë e thellimit dhe forcimit të mëtejshëm të tyre në fusha të ndryshme, duke shprehur falënderime për mbështetjen e pandërprerë dhe të fuqishme të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të Shqipërisë, si dhe të rajonit ballkanik, në strukturat evropiane. Me këtë rast, Kreu i Shtetit theksoi vendosmërinë e madhe dhe seriozitetin që shteti shqiptar do të tregojë në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Evropian, për të fituar sa më parë statusin kandidat për anëtarësim.
Gjithashtu, Presidenti Topi shprehu besimin se “miqësia, partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e demokracisë, edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit”.
Përfaqësuesit e Grupit Parlamentar për Marrëdhëniet e Gjermanisë me shtetet e Evropës Juglindore, pasi falënderuan Presidentin Topi për pritjen e përzemërt dhe takimin e frytshëm e informues, vlerësuan kontributin personal e institucional të Presidentit Topi, si dhe rolin kyç të Shqipërisë e faktorit shqiptar në drejtim të forcimit të paqes e sigurisë së popujve të Ballkanit, të projektuar tashmë qartazi drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.