Kryetari Rama ka qenë mes fëmijëve të njësisë 8 në këtë ditë të festës së tyre. Një festë fëminore dhe shumë dhurata, që u shpërndanë nga Edi Rama. I cili nga ana e tij u ndje i afërt dhe u rrethua nga sinqeriteti i vogëlushëve.
Kryetari Rama në këtë 1 qershor ka ripërsëritur angazhimin e PS për të bërë të mundur që të ulet numri i fëmijëve të varfër apo atyre që nuk marrin arsimin dhe edukimin bazë për shkak të pamundësisë së prindërve për të blerë librat.
Mes fëmijëve Rama u shpreh:
“Dëshiroj që t’i uroj Gëzuar 1 qershorin të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Njëkohësisht t’u them të gjithë prindërve se ne jemi shumë të angazhuar që të bëjmë gjithçka është e mundur dhe më të mirën do të bëjmë që çdo 1 qershor që vjen të ketë gjithmonë e më pak fëmijë të varfër; Të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë për shkak se prindërit varfëria i pengon t’ju blejë librat; Të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që mbeten analfabetë; Të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që të ardhmen e tyre nuk e kanë të sigurt në vendlindjen e tyre.
Gëzuar edhe njëherë 1 qershorin!”